Vuçiqit – “mos hiq dorë nga kërkesat tua”, Thaçit – “krijo unitet” – Kërkesat e Tusk në Prishtinë e Beograd

Vuçiqit – “mos hiq dorë nga kërkesat tua”, Thaçit – “krijo unitet” – Kërkesat e Tusk në Prishtinë e Beograd

Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk vizitoi Kosovën dhe Serbinë duke takuar presidentët e të dy vendeve. Por krejtësisht ndryshe është sjellë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për dallim nga fjalët që ka përdorur me presidentin kosovar, Hashim Thaci.

Për presidentin kosovar, Tusk nuk ka dhënë asnjë lavdatë përpos që ka arritur ta miratojë demarkacionin me Malin e Zi. Madje për Thaçin kërkoi që të vazhdojë procesin e reformës dhe të luftojë krimin e organizuar, shkruan Insajderi.

“Dua t’ju përgëzoj për ratifikimin e fundit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ajo e vuri Kosovën një hap më afër udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian. Ishte gjithashtu një dëshmi se bashkëpunimi ndërpartiak është i mundur në çështjet me interes vital për të gjithë kosovarët”, tha Tusk në konferencën e mbajtur në Prishtinë.

Mirëpo Tusk në Beograd nuk është kursyer me lavdata për presidentin Aleksander Vuçiq. Ai e inkurajoi presidentin serb, që mos të heq dorë nga kërkesat e tij.

“Ju keni dëshmuar shumë herë në historinë tuaj se jeni të ashpër, kokëfortë dhe të pavarur. Ju jeni të vetmit që vendosni për fatin tuaj. Dhe e di që nuk do të lejoni që kjo të ndryshojë. Si i lindur dhe i ngritur nën komunizm, e mbaj mend mirë admirimin për guximin tënd. Ne ishim në të njëjtin bllok politik, por ju keni qenë në gjendje të krijoni pavarësi shumë më të madhe politike”, ishin fjalët të cilat Tusk i tha Vuçiqit.

Por Tusk në Prishtinë nuk kishte fjalë miradije për presidentin Thaçi, përveç që e falënderoi për mikpritje, Tusk kërkoi nga Thaçi që të krijojë konsensus politikë dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“E di për një fakt që nuk do të heqësh dorë, por do të vazhdosh procesin e reformës, duke respektuar plotësisht angazhimet tuaja ndërkombëtare. Në interesin më të mirë të vendit tuaj. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për të qenë efektive, gjithashtu ka nevojë për konsensus politik në Kosovë”, ka thënë Tusk gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

Përveç lëvdatave për presidentin Vuçiq, Tusk ishte shprehur se për ta vizituar Serbinë duhet të përgatitet mjaftë shumë, pasi që ata janë aq kreativ sa Nikola Tesla.

“…Dhe si gjithmonë, më duhej të përgatitesha veçanërisht mirë për vizitën time në Serbi. Sepse unë e di këtë, në politikë, që jeni aq kreativ sa Nikola Tesla i cili ishte një shkencëtar aq efektive sa Novak Djokoviç ka qenë në tenis”, ka thënë në fillim të fjalimit të tij Tusk.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk ka filluar një vizitë në vendet e Ballkanit më qëllim të përgatitjes së samitit BE – Ballkan që do të mbahet në Sofje më 17 maj.

Tusk vizitën e tij e filloi në kryeqytetin Shqiptarë, në Tiranë ku u takua me kryeministrinë e Shqipërisë, Edi Rama, pastaj vazhdoi në Podgoricë ku u takua me Dusko Markoviq kryeministrin e Malit të Zi.

Pas vizitës në Prishtinë, Tusk pritet të vizitojë edhe Shkupin. /Insajderi.com