Në Gjykatën e Gjakovës është mbajtur seanca në rastin ku i akuzuar është humoristi Sevdai Radogoshi, i njohur si Qumili. Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë në bazë të së cilës Radogoshi akuzohet për lëndim të lehtë trupor.
Gjatë seancës së kaluar i pandehuri është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës për shkaktim të lëndimeve trupore ndaj motrës së tij.
Siç raportoi sot portali Kallxo.com, e dëmtuara Floranta Radogoshi kishte deklaruar se në ditën kritike është rrahur edhe nga vëllai tjetër i saj, Mesut Radogoshi.
Gjatë rrjedhës së procedurës e dëmtuara prezantoi edhe disa dokumente të tjera shëndetësore, për të cilat deklaroi se “ka qëndruar 10 ditë në Repartin e Neurologjisë për lëndimet rreth kokës për të cilat jam ende në trajtim”.
Sipas aktakuzës në maj të vitit 2016, pas një fjalosjeje në mes tyre, duke i kërkuar që e dëmtuara ta lirojë shtëpinë, i akuzuari i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës dhe për një moment përdor forcë ndaj saj duke e goditur me grushte dhe shuplaka në kokë dhe më pas e tërheq për hunde.