3 djegie dhe një plan shkatërrimi

3 djegie dhe një plan shkatërrimi

Herën e fundit kur objekti i mbrojtur me ligj është djegur ka qenë e diela e 9 prillit të këtij viti. Pikërisht të dielën, por atë të 3 korrikut, objekti i vjetër, pjesë e kompleksit të Kishës Katolike në Prizren, është djegur për së treti herë. Kjo mund të jetë një rastësi por duket sikur qëllimet për këtë objekt janë të planifikuara.

Herën e parë qaë objektit i ishte vënë flaka, ka qenë 15 marsi 2016.

Por duket sikur djegia e tretë po del të jetë e “e treta e vërteta”, pasi sipas fotografive të para të këtij objekti pas intervenimit të zjarrfikësve që kanë shuar flakët, në këtë objekt nuk ka mbetur asnjë vlerë e trashëgimisë kulturore.

shtepia...

E vlera të trashëgimisë kulturore, ky objekt nuk paraqet as për vet institucionin e Kishës Katolike në Prizren, që para dy muajve kanë bërë kërkesë që ta shkatërrojnë këtë objekt, raporton Insajderi.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, i ka thënë Insajderit, se vet Kisha Katolike qysh në muajin shkurt, ka dorëzuar në MKRS, përkatësisht në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, kërkesën që ky objekt të demolohet apo shkatërrohet.

“Ka 5 muaj që lënda e kësaj shtëpie është në shqyrtim nga një komision i hartuar nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve. Kisha Katolike po kërkon që ky objekt të shkatërrohet, por nuk ka ofruar as fakte se pse duhet të shkatërrohet e as ndonjë plan konkret se çka të ndërtohet aty”, ka thënë Aliu, për Insajderin.

Ajo ka thënë se Ministria e Kulturës nuk pajtohet me mënyrën sesi Kisha Katolike parasheh demolimin pa kritere të këtij objekti, pa asnjë argument.

Madje Aliu është shprehur e nervozuar me aktin e vënies së flakës.

“Unë nuk kam koment. Me të vërtetë nuk e di çfarë të them. Kjo është papërgjegjësi e plotë por nuk mund të komentoj asgjë sepse nuk kam informacione se si ka ndodhur”, ka thënë Aliu.

Djegia e objekteve të trashëgimisë kulturore është praktikë e njohur tashmë në Kosovë. Që prej vënies së flakës së objektit të ish-hotelit Union që më vonë u shndërrua në një qendër tregtare midis kryeqytetit, më pas djegies së shtëpisë në Prishtinë e njohur si Konsulata Ruse e deri tek djegia e shtëpisë monumentale të Xhafer Devës në Mitrovicë.

Aliu i ka thënë Insajderit se lënda e shtëpisë së djegur sot në Prizren është në shqyrtim nga Instituti, si organi kompetent për këtë cështje.

shtepia

Gazeta ka tentuar ta kontaktoj, drejtorin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Alban Bakija, por ai nuk është përgjigjur.

E drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha ka thënë se nuk ka informacion për djegien pasi gjendet në pushime, jashtë vendit. Ai nuk ka ofruar as të dhëna për shtëpinë, kur i është sqaruar se bëhet fjalë për shtëpinë e njejtë, së cilës i është vënë flaka dy herë më parë.

“Jam në pushime nuk mund të jap asnjë informacion”, ka thënë Hoxha.

Shtëpia e djegur sot është pjesë e Zonës Historike të Prizrenit. Ndërtesa, është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare.

Pak metra më larg këtij objekti, gjenden objekte të tjera në të njejtën gjendje. Muajin e kaluar, nga shembja e murit të një prej shtëpive në rrugën “Marin Barleti” kishte humbur jetën një fëmijë 3 vjeçar.

Tragjedia në Prizren në 11 lajme

Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës kishin akuzuar njëra tjetrën për mungesë veprimi për të restauruar dhe siguruar shtëpitë. Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore, restaurimi i objekteve është kompeltencë e Ministrisë së Kulturës. Por Ministria insiston se sigurimi i objekteve të tilla është përgjegjësi e Komunës.

Se objekti i Kishës Katolike, është djegur, nuk kishte informacion as Komuna e Prizrenit.

Kur Insajderi telefonoi zëdhënësin e kësaj komune, Ymer Berisha ai u shpreh i habitur me lajmin.

“Cila shtëpi? Jo për besë nuk kam ndonjë informacion, por nëse është shtëpi e vjetër kontaktoje ata të Qendrës Rajonale për Trashëgimi”, ka thënë Berisha për Insajderin.

E Vjollca Aliu nga MKRS thotë se institucioni në të cilin ajo punon do të dalë shpejt me një raport në lidhje me djegien e kësaj shtëpie./Insajderi.com