I emëruari U.D i drejtorit në KEK i jepte tenderë kompanisë së vëllait të presidentit Thaçi

Në kohën kur kompania "Geo Mineral" e Idriz Thaçit - vëllait të presidentit Hashim Thaçi - fitoi tri tenderë nga KEK-u, zyrtar i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishte Nijazi Thaçi, kushëri i tyre, i cili sot u emërua ushtrues detyre i drejtorit të KEK-ut. Emërimi i Thaçit në krye të KEK-ut erdhi pas dorëheqjes së ish-drejtorit Arben Gjukaj.

I emëruari U.D i drejtorit në KEK i jepte tenderë kompanisë së vëllait të presidentit Thaçi
Burimi i fotografisë: Facebook

Mes vitit 2009 dhe 2011 kompania që merret me biznesin e thyerjes së gurit “Geo Mineral” kishte fituar tri tenderë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Në këtë kompani që kishte fituar tri tenderë në vlerë milionëshe nga KEK-u, figuron si pronar Idriz Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi.

Se Idriz Thaçi figuronte si përfaqësues i “Geo Mineral” ishte dëshmuar në një dokument të kompanisë së naftës Kosova Petrol, që e kishte siguruar Gazeta Jeta në Kosovë në vitin 2013. Idriz Thaçi është ende sot e kësaj dite pronar i kompanisë “Geo Mineral”.

E në kohën kur “Geo Mineral” fitoi tri tenderë nga KEK-u, zyrtar i prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ishte Nijazi Thaçi, kushëri i Idriz Thaçit dhe Hashim Thaçit, i cili sot u emërua ushtrues detyre i drejtorit të KEK-ut pas dorëheqjes së Arben Gjukajt.

Tenderin e parë që “Geo Mineral” – kompani në të cilën figuron pronar i biznesit Idriz Thaçi – e fitoi nga KEK-u ishte më 21 prill të vitit 2011 dhe kishte një vlerë prej 156 mijë eurove. Ndërkaq, tenderi i dytë që “Geo Mineral” e fitoi nga KEK-u u shënua më 24 prill të vitit 2009 dhe kishte vlerë prej 205 mijë eurosh.

Një tender tjetër në vlerë prej 1 milionë e 298 mijë e 332 euro, kompania “Geo Mineral” e fitoi më 7 dhjetor të vitit 2009. Të tre tenderët që kjo kompani fitoi nga KEK-u arritën vlerën e mbi 1 milion e gjysmë eurove.

Tenderi kishte të bënte me ndërtimin e linjës së re të gypit për furnizim me ujë të rëndomtë për Termocentralin “Kosova B” nga kanali Ibër-Lepenc.

Në vitin 2013, në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë drejtori i atëhershëm i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, kishte konfirmuar se një hetim do të niste për të vërtetuar se në cilat rrethana kompania private me pronar vëllain e presidentit Thaçi kishte dalë fituese në prokurimet publike të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Veç kontratave me këtë ndërmarrje publike, kompania Geo Mineral më herët kishte furnizuar edhe konzorciumin Bechtel Enka, i kontraktuar për ndërtimin e autostradës së Kosovës.

Nijazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është emëruar sot ushtrues detyre i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Kushëriri i presidentit u zgjodh në krye të institucionit kryesor të energjetikës në vend me vendim të bordit të KEK-ut. Në mbledhjen e sotme të bordit të KEK-ut dha dorëheqje ish-drejtori Arben Gjukaj.

Përmes një njoftimi për medie, Bordi i KEK-ut njoftoi se pozitën e Gjukajt do ta zë përkohësisht Nijazi Thaçi, i cili më parë ka shërbyer si zëvendësdrejtor dhe në një periudhë edhe si zyrtar i prokurimit në KEK. /Insajderi.com