Gjykimi ndaj punëtorëve të kompanisë “Buçaj” – dëshmitarët thonë se ka pasur keqpërdorim të mallit

Gjykimi ndaj punëtorëve të kompanisë “Buçaj” – dëshmitarët thonë se ka pasur keqpërdorim të mallit

Ish-menaxherja e financave në kompaninë “Buçaj”, Sebahate Hasanaj dhe punëtori i kësaj kompanie Ferid Krasniqi, kanë deklaruar se në vitin 2013, në këtë kompani kishte pasur keqpërdorim të mallit.

Këtë deklaratë, dëshmitarët e kanë dhënë në seancën e së martës, në rastin e punëtorëve të kompanisë “Buçaj”, Bujar Fetahu, Ilir Haxhiu dhe Petrit Kikaj, të cilët akuzohen për përvetësim në detyrë.

Në këtë rast, janë akuzuar edhe Visar Ilazi dhe Fadil Salihu, por më 27 nëntor të vitit të kaluar, ndaj tyre ishte veçuar procedura, me arsyetimin se sipas gjykatëses Shadije Gërguri, ata jetojnë në shtetet e perëndimit dhe nuk ndodhen në Kosovë.

Dëshmitarja Sebahate Hasanaj, e cila gjatë viteve 2012-2017, kishte punuar në cilësinë e menaxheres së financave në kompaninë “Buçaj”, tha se gjatë vitit 2013 ishte vërejtur se në këtë kompani kishte pasur mungesë të stokut si pasojë e keqpërdorimeve.

“Nuk më kujtohet vlera e saktë sa ka qenë, por ka pasur vlera të larta të dëmeve materiale, mungesë të stokut, që ka rezultuar si pasojë që është dyshu për keqpërdorime”, tha dëshmitarja.

Ajo tha se ishte dyshuar se mungesa e stokut kishte rezultuar për shkak të problemit me sistem softuerik, por sipas saj, më vonë ishte vërtetuar se problemi kishte qenë tek faktori njeri.

“Më kujtohet që në atë kohë kemi bërë automatizëm softuerik dhe regjistrimi që është bërë më kujtohet që ka pasur mungesë të stokut dhe është thënë se është problemi të sistemi, por më vonë është vërtetuar se problemi nuk është tek sistemi, por gjatë verifikimit në databaza është vërejte se është problemi tek faktori njeri”, tha dëshmitarja.

E njëjta tha se mbetet pranë deklaratave që i kishte dhënë në polici dhe në prokurori në vitin 2013.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, e ballafaqoi dëshmitaren me deklaratën e dhënë në polici, në të cilën kishte përmendur se në regjistrimin e parë ishte paraqitur mungesë e mallit në shumën prej 18.157.19 euro.

Sipas dëshmitares, deri te ky konkludim kishte ardhur, pasi ishte vlerësuar mungesa e mallit në këtë shumë, dhe pasi komisioni për regjistrim prej pesë anëtarëve të cilët në bashkëpunim me mbikëqyrësit e depove duke u bazuar në listat e sistemit, kishin bërë numërimin e stokut dhe kishin evidentuar gjendjen faktike.

Ndryshe, në këtë seancë ka dhënë dëshminë e tij edhe vëzhguesi i kamerave dhe mbikëqyrësi i sigurimit të jashtëm i kompanisë “Buçaj”, Ferid Krasniqi.

Në pyetjen e prokurorit Kujtim Munishi, se a kishte vërejtur parregullsi gjatë vëzhgimit të kamerave, dëshmitari tha se kishte qenë vetëm vëzhgues dhe në rastet kur kishte vërejtur diçka, kishte raportuar Bajram Fetahun dhe Hamdi Statovcin më të cilët kishte bashkëpunuar.

I njëjti tha se mbetet pranë deklaratave që i kishte dhënë në polici dhe në prokurori dhe tha se nuk i kujtoheshin detajet për arsye se kishin kaluar vite nga dhënia e këtyre deklaratave.

Kryetarja e trupit gjykues e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në polici me 24 prill 2013, në të cilën kishte deklaruar “vërehet qartë se Bujar Fetahu gjatë ngarkimit të mallit me ngarkues , e ngarkon një paletë të produktit “Duel”, e cila nuk ka qenë në faturë dhe e njëjtë nuk është dashur të ngarkohet te Iliri”, lidhur me këtë dëshmitari tha se këtë deklaratë e kishte dhënë bazuar në atë se çfarë kishte parë në kamera.

Ai tha se kur depoisti kryesor i kësaj kompanie Xhemajli Salihu dhe shitësi Arsim Jusufi, i kishin kërkuar që të vëzhgojë kamerat gjatë ngarkimit të mallit, pasi ishte vërejtur se ishte bërë një keqpërdorim.

Sipas tij, pas shikimit të kamerave kishte vërejtur se një paletë “Duel” ishte ngarkuar në kamionin e mallit të të akuzuarit Ilir Haxhiut, dhe se ngarkesa nuk ishte përputhur me faturën, pasi sipas tij, kjo ngarkesë nuk kishte qenë e shënuar në faturë.

Gjykatësja Gërguari ka vazhduar ta ballafaqojë dëshmitarin me deklaratën në polici në të cilën kishte thënë se “gjatë kamerave shihet se kjo është bërë e qëllimshme sepse kur Iliri është largu nga malli, Fadil Salihu ka shku tek malli tjetër, Iliri dhe Bujari me shpejtësi e ngarkojnë mallin e cila ka qenë jashtë faturës dhe mbrapa sallës e mbulojnë produktin si të vjedhur. Një paletë “Duel”, shihet afër tij dhe një punëtor iu ndihmon atyre në ngarkimin e mallit i cili vërehet duke mbyllur dyert e kombit”.

“Po kështu kam deklaruar, unë e kam dhënë deklaratën veç çka kam parë me sy, se a e kanë vjedh apo jo unë s’kam mujt me thanë”, ishte përgjigja e dëshmitarit.

Ai tha se ngarkimin në kamion e kishin bërë Bujar Fetahu dhe Ramadan Salihu, ndërsa kontrollimin depoisti Arsim Salihu, dhe sipas tij, çdo mall ishte ngarkuar me urdhër te depoistit.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 21 qershor 2018, në ora 9:00, në të cilën pritet të dëshmojnë dëshmitarët Arton Lazari, Besnik Dervishi , Saranda Hajrizi, Emin Maliqi, Naim Mustafa, Ramadan Salihu dhe Valdet Syla.

Ndaj pesë të pandehurve Bujar Fetahu, Ilir Haxhiu, Visar Ilazi, Fadil Salihu dhe Petrit Kika ishte ngritur aktakuzë në prill të vitit 2017, me pretendimet se të njëjtit në cilësinë e punëtorëve të kompanisë “Buçaj”, në bashkëkryerje kishin përvetësuar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Këto veprime, sipas prokurorisë ishin kryer në depon e kompanisë “Buçaj”, më 28 shkurt të vitit 2013, pas marrëveshjes paraprake mes të pandehurve.

Bujar Fetahu, depoist dhe Ilir Haxhiu, shitës ambulant kishin ngarkuar mall, përkatësisht detergjent rrobash “Duel”, më tepër se sa kishte qenë në faturë. Ndërkaq, të njëjtit më 4 mars të të njëjtit vit,  ishin zënë në flagrancë duke e kryer këtë veprim, ku pastaj malli edhe ishte kthyer në depo, thuhet në aktin akuzues.

Vlera totale për të cilën akuzohen se e kanë përvetësuar, përmes këtyre veprimeve, kap shumën prej 878,88 eurosh.

Ndërsa, i akuzuari Visar Ilazi, shitës ambulant, ia kishte shitur produktin “Duel”, i cili kishte qenë e ofertës “gratis”, pronarit të marketit ”Valdeti”, në vlerë totale prej 33.20 euro, dhe për të njëjtin mall nuk kishte dhënë faturë të shitjes.

Po ashtu, sipas prokurorisë, punonjësi në depo, Fadil Salihu dhe menaxheri i programit “Bohemmija Deus Promo”, Petrik Kika, mallin, i cili kishte dalë nga depoja nuk e kishin faturuar, duke i shkaktuar kështu dëm material kompanisë në fjalë. /Betimiperdrejtesi.com