Lista Serbe nis konsultimet me presidentin e Serbisë

Lista Serbe nis konsultimet me presidentin e Serbisë

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha sot se duke u bazuar në veprimet e palës kosovare lidhur me marrëveshjet e Brukselit dhe heshtjen e Bashkimit Evropian, kjo Listë ka filluar konsultimet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq për hapat e mëtutjeshëm.

Madje sipas Rakiqit, institucionet e Kosovës po tregohen pasive karshi sulmeve të fundit ndaj serbëve në të gjithë territorin e vendit.

“Sulmet e fundit ndaj serbëve dhe pronave të tyre në territorin e Kosovës, edhe ndaj fëmijëve dhe grave, pasiviteti i institucioneve të Kosovës, mosndëshkimi i krimit dhe sjellja injoruese ndaj tyre, na kanë shtyrë ne që të fillojmë konsultimet me shtetin tonë dhe me presidentin Vuçiq”, është shprehur Rakiq, transmeton lajmi.net.

Rakiq përmendi edhe deklaratat e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Kosovë si një arsye tjetër se pse kjo Listë duhet të konsultohet edhe me Beogradin.

“Deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, papërgjegjshmëritë e tyre për ndërprerjen e procesit të kthimit të serbëve në Kosovë, mosimplementimi i marrëveshjeve, kërkojnë që ne si përfaqësues legjitim të serbëve të Kosovës, të konsultohemi me Serbinë dhe presidentin”, u shpreh Rakiq.

Ndryshe, Lista Serbe ka paraqitur tërheqjen nga koalicioni qeverisës qysh pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Kosovë, ani pse kjo Listë po vazhdon të mbajë postet ministrore.