Thaçi përshëndet marrëveshjen për emrin e Maqedonisë

Thaçi përshëndet marrëveshjen për emrin e Maqedonisë

Presidenti Hashim Thaçi e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes së sotme mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin.

“Në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, e mirëpres marrëveshjen për çështjen e emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë. Ky është një lajm i mirë për të dy vendet dhe për rrugën e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së. Është një mundësi e re për të forcuar edhe më shumë paqen dhe stabilitetin në tërë rajonin tone”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë e ka dhënë kryeministri maqedon, Zoran Zaev. Ai ka thënë se me këtë akt do të hapet perspektiva për tashmë Maqedoninë e Veriut.

“Sot është një ditë me e mirë për Maqedoninë, më shumë perspektivë dhe ditë më të mira për Maqedoninë po vijnë. Kemi një marrëveshje historike mes Greqisë dhe vendit tonë.

Me këtë marrëveshje do të kemi identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë. Nga sot e tutje nuk do të quhemi më FYROM-as, por maqedonas. Nga sot emri i ri i do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, nacionaliteti maqedonas, gjuha maqedonase dhe po ashtu do të përkthehet në të gjitha gjuhët e botës”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.