Dhimbjet e Hilmi Haradinajt – Tre djemë të vrarë dhe një nip të vdekur

Dhimbjet e Hilmi Haradinajt – Tre djemë të vrarë dhe një nip të vdekur

Hilmi Haradinaj, i lindur në Gllogjan të Deçanit, ka ndërruar jetë në ditët e hershme të mëngjesit të sotëm, por që jeta e tij ishte plotë vuajtje. Hilmi Haradinajt, iu vranë dy djemtë e tij në luftën e fundit në Kosovë, shkruan Insajderi.

Luani dhe Shkelzeni, ishin dy dëshmorët e kombit, që familja e Hilmi Haradinajt ia dha lirisë së Kosovës. Edhe Ramush Haradinaj, i cili në periudhën e luftës ishte komandant i UCK-së, në zonën e Dukagjinit, kishte mbetur i plagosur. Hilmi Haradinaj, së bashku me djemtë: Ramushin, Luanin, Shkelzenin, Dautin dhe Enverin, kishin qenë të angazhuar në lirimin e Kosovës, nga regjimi serb.

Hilmi Haradinaj në një dokumentar të realizuar në vitin 2013, pati treguar për ndihmën që ai ua jepte djemëve të tij në ofensivat kundër ushtrisë serbe, e sidomos në dy momentet e rrethimit të shtëpisë së tyre.

Por, për Hilmi Haradinajn, vuajtjet nuk përfunduan, në momentin kur përfundoi lufta. Ishte viti 2005, kur atij në rrethana misterioze, iu vra djali, Enver Haradinaj. Ndaj tij në atë kohë ishte organizuar një atentat, duke e lënë të vdekur, shkruan Insajderi.

Po ashtu, pas përfundimit të luftës, familjes Haradinaj, i kishte ndodhur edhe një tragjedi. Djalin e Shkelzenit, ia kishte shkelur autobusi, duke e lënë të vdekur, në moshë të re.

Probleme pati edhe për të tjerët që jetonin ende. Ishte viti 2004, kur Tribunali i Hagës, mori Ramush Haradinajn, nën akuzën për krime lufte. Në procese gjyqësore në Hagë, Haradinaj kishte kaluar deri më 10 maj të vitit 2012. Por, probleme me drejtësinë ndërkombëtare, për aktivitetin e tij në luftën e vitit 1998-99, Haradinaj kishte pasur edhe në vitin 2017. Ai ishte arrestuar dhe mbajtur për katër muaj në Kolmar të Francës, me të njëjtën aktakuzë: atë të krimeve të luftës.

Hilmi Haradinaj, nuk kishte mundur që t’i mbajë lotët e gëzimit për lirimin e djalit të tij. Thoshte se Ramush Haradinaj, nuk është vetëm i tij, por i Kosovës dhe mbarë shqiptarisë.

 

Hilmi Haradinaj, përkundër problemeve shëndetësore që i kishte pasur, ai më 9 shtator të vitit të kaluar, ishte treguar shumë i lumtur, që Ramush Haradinaj po bëhej kryeministër.

Hilmi Haradinaj, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë në mëngjesin e 17 qershorit, duke lënë vepra të mëdha pas vetës.

Shumë personalitete të politikës, showbizzit dhe biznesit, kanë shprehur pikëllimin për vdekjen e tij, i cili për së gjalli përjetoi vdekjen e tre djemëve dhe të nipit.

Hilmi Haradinaj do të varroset të hënën duke filluar nga ora 14:00, në fshatin Gllogjan të komunës së Deanit. Ai do të varroset pranë varreve të Shkelzenit, Luanit, Enverit dhe nipit të tij./Insajderi.com