“Duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës”

“Duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës”

Të anashkaluara nga institucionet deri vonë dhe të stigmatizuara nga familja dhe shoqëria, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë, derë të hapur kishin organizatat e grave, të cilat që nga viti 1999 ofruan përkrahje për të mbijetuarat.

“Gratë pas luftës kanë filluar të tregojnë rrëfimet se çka u ka ndodhur, por kur ato filluan të flasin, dhe në një mënyrë shoqëria filloi t’i stigmatizojë, ato e mbyllën gojën. Prandaj është dashur që gjithë këto vite organizatat e grave të punojnë me to dhe t’iu ndihmojnë, qoftë në fushën e programit psiko-social, qoftë në fushën e fuqizimit ekonomik”, thotë Igballe Rogova, drejtoreshë e Rrjetit të Grave të Kosovës.

Me gjithë sfidat e mëdha ndër vite, organizatat e grave këtë vit e konsiderojnë si historik për kauzën e të mbijetuarave, duke e quajtur “Viti i njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale.’

Kështu vlerëson edhe Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT). “Pa mëdyshje që sot, si e arritur kryesore mund të rendisim njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Por të mos harrojmë se e tërë kjo ishte një proces i gjatë dhe i mundimshëm. E një rëndësie të veçantë është vendosja e mekanizmave që sigurojnë një proces të drejtë dhe të ndershëm”.

Për angazhimin në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale, Rushiti është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit me Çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme

Kultura stigmatizuese e theksuar në Kosovë ka penguar dukshëm rehabilitimin e të mbijetuarave duke ushqyer tek ato “ndjenjën e fajit dhe turpit”, vlerëson Veprore Shehu, drejtoreshë e “Medica Kosova”.

“Njohja dhe solidarizimi me dhimbjen e tyre kanë munguar dukshëm nga ana e shoqërisë. Ndërsa edhe anëtarët më të ngushtë të familjes i janë shmangur kësaj teme, duke pretenduar se nuk e dinë apo thjesht është më mirë që të mos bisedohet fare për këtë çështje për shkak të komenteve nga anëtarët e tjerë të komunitetit”, shton Shehu.

Pas fillimit të zbatimit të ligjit për përfitimin e pensioneve për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, përfaqësueset e OJQ-ve tregojnë që ka pengesa sa i përket përfitimit.

Sipas tyre, pengesë për përfitim apo aplikim për këtë pension është që të mbijetuarit nuk kanë të drejtë të kenë më shumë se një përfitim social ( p.sh. nëse një grua përfiton pension për burrin/ fëmijën dëshmor të luftës, viktimë civile të luftës, apo përfiton pensionin e moshës, apo ndonjë përfitim të njëjtë social), atëherë e mbijetuara duhet të heqë dorë nga e drejta e saj për përfitim, pra duhet të zgjedhë se cilin pension do ta mbajë.

“Për shkak të stigmës, gratë edhe përkundër vullnetit po heqin dorë nga pensioni i tyre dhe vazhdojnë të marrin pensionin tjetër çfarëdo qoftë ai, në shumë raste edhe nëse pensioni që zgjedhin është më i vogël. Qeveria duhet të heqë pikën në ligj e cila i pengon të mbijetuarit e dhunës seksuale të marrin më shumë se një përfitim social që lidhet me luftën”, thotë Mirlinda Sada, drejtoreshe ekzekutive e “Medica Gjakova”.

Duke folur për sfidat me te cilat po përballen të mbijetuarat, duke përfshirë stigmatizimin me të cilin po përballen sot e 20 vjet, Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas thotë se “problem aktual është arsyetimi i pensioneve të atyre rasteve të cilat kanë përfituar statusin e të mbijetuarve të dhunimit seksual gjatë luftës. Sfidë kjo e cila po shkaktohet si pasojë e stigmatizimit të rrethit shoqëror, sepse ka raste që as sot familjarë të viktimave nuk janë në dijeni për atë që kanë përjetuar këto viktima. Gjithashtu ka raste që as bashkëshorti i viktimës nuk ka njohuri për atë që ka përjetuar viktima”.

Më shumë përkrahje nga institucionet dhe shoqëria

Ndonëse Kosova arriti që më në fund të ofrojë reparacione për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin, kjo paraqet vetëm një segment (ndonëse i rëndësishëm) të drejtësisë sociale, përderisa mungon drejtësia formale dhe arritja e paqes.

“Shumica e të mbijetuarave e konsiderojnë ndëshkimin e autorëve të krimeve seksuale si një ndër masat më të rëndësishme të rehabilitimit të tyre emocional, por edhe kthimit të dinjitetit në tërësi. Arritja e drejtësisë ndikon edhe në zhvendosjen e ndjenjës së fajit tek autorët e këtyre krimeve, duke pasur edhe efekt psikologjik tek të mbijetuarat të cilat konsiderojnë se “vetëm atëherë shoqëria do ta kuptojë më mirë se ne kemi qene viktima dhe trupi ynë është përdorur për qëllime lufte”, thekson Shehu.

Se të mbijetuarat tani kanë nevojë për qasje në drejtësi me ndjeshmëri jo vetëm gjinore, por edhe ndaj traumës së përjetuar gjatë luftës, pajtohet dhe Rogova: “Të mbijetuarat gëzojnë të drejtat ligjore pas gjithë asaj lufte që është bërë nga organizatat e grave, gratë në politikë dhe organizatat ndërkombëtare, por ato kanë nevojë për drejtësi për atë që u ka ndodhur”.

“Është obligim i gjithë shoqërisë dhe institucioneve në veçanti që rastet e dhunimit dhe krimet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe efikase, dhe kryesit e këtij krimi të ndiqen penalisht sipas standardeve ndërkombëtare”, shprehet Sada, duke shtuar se veprimet e nevojshme për të cilat të mbijetuarat kanë nevojë tani janë: “programe rehabilitimi për të integruar të mbijetuarat, duke përfshirë dhënien e duhur dhe cilësore të përkujdesjes shëndetësore fizike dhe të shëndetit mendor, si dhe fuqizim ekonomik”.

Duke folur për rëndësinë e fuqizimit ekonomik, Tahiraj nga QPDG thekson: “Mendojmë që fuqizimi ekonomik për këtë kategori do të ishte i mirëseardhur, hapja e vendeve të punës apo ndonjë projekti afatgjatë në këtë drejtim”, duke shtuar se “institucionet vendore duhet të trajtojnë këtë kategori të barabartë si kategoritë e tjera të dala nga lufta dhe të këtë drejtësi për këtë kategori për ndëshkimin e krimit të kryer në vendin tonë”.

Duke konsideruar që kompensimi monetar pa qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale është një mision i pa përmbushur në tërësi, Rushiti nga QKRMT shton: para vetes kemi edhe shumë punë në këtë drejtim, por besoj fuqishëm se me angazhim dhe me punë të sinqertë e të përkushtuar, me përulësi ndaj atyre që përfaqësojmë dhe me bashkëpunim me aktorët e tjerë, do të jemi të suksesshëm në arritjen e qëllimeve të përbashkëta”.