LDK sërish ia qartëson Thaçit rolin e tij në bisedimet me Serbinë

LDK sërish ia qartëson Thaçit rolin e tij në bisedimet me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës sërish ia ka bërë të qartë presidentit Hashim Thaçi se nuk ka asnjë autorizim për ta përfaqësuar vendin në dialog me Serbinë.

“Ne besojmë se dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me fqinjit tonë verior, Serbinë. Dëshirojmë të përshëndesim angazhimin e miqve tanë ndërkombëtar në këtë proces, BE-së dhe SHBA-së. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas kësaj partie, Kuvendi i Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje, pasi platforma për dialog me Serbinë, që ishte në rend ditë në Kuvend, u tërhoq nga Qeveria, duke shtuar se platforma e vitit 2011 e autorizon Qeverinë të dialogojë me Serbinë.

“Rrjedhimisht, Presidenti Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës. Kështu që, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës”, thuhet më tej në reagim.

LDK-ja nuk e mbështet Presidentin që të zhvillojë dialogun me Serbinë, duke thënë se ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës.

“LDK-ja, si partia kryesore në vend, është e gatshme të marrë përsipër këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Këtë përgjegjësi ne do ta marrim përmes votës së qytetarëve, në zgjedhje të lira”, përfundon reagimi./Insajderi.com