Në fillim kishte 61 deputetë, tani vetëm 51 – Historiku i rënies së numrave të qeverisë Haradinaj

Është dashur muaj të tërë derisa PAN-i arriti ti mbledhë 61 deputetë për ta formuar qeverinë Haradinaj. Por vetëm disa muaj nga formimi i saj, qeveria Haradinaj i ka humbur hiç më pak se dhjetë vota nga sa kishte fillim. Madje njëra nga votat e humbura është ajo e Labinot Tahirit i cili në fillim me çdo kusht e kërkonte kryeministër Haradinajn.

Në fillim kishte 61 deputetë, tani vetëm 51 – Historiku i rënies së numrave të qeverisë Haradinaj

Ishte mesi i shtatorit të vitit që lamë pas kur qeveria Haradinaj ishte votuar me 61 vota për, nga 62 deputetë sa ishin në Kuvend, ku nga të pranishmit nuk kishte pasur asnjë votë kundër, përpos një abstenimi nga deputeti i Nisma-s, Zafir Berisha.

Me qëllim rrumbullakimit të 61 votave, që kërkoheshin për formimin e qeverisë ishte formuar koalicioni PAN që kishte siguruar 39 vota nën ombrellën e marrëveshjes mes PDK-së, AAK-së, dhe NISMA-s, shkruan Insajderi.

Qeverinë Haradinaj e kishte përkrahur edhe lista serbe me 10 vota nga deputetët që ka në Kuvend.

Gjithashtu, deputetët e AKR-së, që ishin vetëm dy, Labinot Tahiri dhe Islam Pacolli, përfshirë edhe katër deputetët tjerë të komunitetit “RAE”.

Megjithatë AKR numëron katër ministra nga radhët e saj dhe postin e zv/kryeministrit në qeverinë Haradinaj. Kryetari i partisë, Behgjet Pacolli mban postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, Albena Reshitaj postin e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Bejtush Gashi postin e ministrit të Brendshëm dhe ministri që është duke u përballur me drejtësinë, Valdrin Lluka në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Krah qeverisë i kishte dalë edhe grupi i deputetëve 6+, të cilët janë gashtë në numër, që kishin çuar numrin e votave në 61, dhe ishte formuar qeveria Haradinaj.

Por nga 61 deputetë që kishte në fillim, i kanë mbetur 51.

Lista Serbe ishte ajo që braktisi koalicionin qeverisës pas arrestimit që iu bë shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ku koalicionit qeverisës i mbetën dhjetë deputetë më pak.

Deputetët e Listës Serbe kanë deklaruar se janë dorëhequr nga koalicioni PAN, por ministra të caktuar nga radhët e Listës Serbe, megjithatë janë parë të kenë vazhduar punën e tyre edhe pas deklaratës zyrtare të këtij subjekti se e kanë braktisur koalicionin qeverisës.

Deputetët e kësaj partie asnjëherë nuk kanë qenë garancë se do të përkrahin çështjet e ngritura prej koalicionit qeverisës.

Dhe së fundmi është deputeti nga radhët e AKR-së ai i cili ka paralajmëruar dorëheqjen nga kjo parti, duke thënë se së shpejti do “dalë nga kjo parti”, për të aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Por përveç largimeve të deputetëve nga koalicioni PAN, ata e kanë mirëpritur kthimin e deputetes Donika Kadaj-Bujupi në AAK, e cila ishte pjesë e VV-së. /Insajderi.com