
Bashkimi Evropian ende nuk ka ndonjë datë zyrtare se kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksander Vuçiq do të takohen përsëri në Bruksel për të vazhduar bisedimet për dialogun.
Ani pse të dielën pas takimit në mes të dy presidentëve Thaçi dhe Vuçiq të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini është thënë që palët kanë rënë dakord që t’i intensifikojnë punët në javët e ardhshme.
Kjo gjë është konfirmuar për Gazetën Alo nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.
“Në këtë fazë nuk kemi ndonjë datë që mund ta konfirmojmë këtë, kjo do të ndodhë me pajtimin e të dyja palëve”, ka thënë Kocijançiq.
E pyetur në lidhje me atë se mediat në Serbi gjatë ditës së djeshme kanë raportur se të dy presidentet do të takohen pas dy javësh dhe se një takim i tillë do të intensifikojë procesin e dialogut, Kocijançiq ka deklaruar se në takimin e së dielës palët kanë rënë dakord që të intensifikojnë punën në javët e ardhshme.
“Të dielën kemi pasur një diskutim intensiv dhe produktiv mbi kornizën e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe palët ranë dakord të intensifikojnë punën në javët e ardhshme’, ka thënë ajo.
Një ditë më parë mediat në Serbi kanë raportuar se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka gjasa të takohet përsëri në Bruksel pas dy jave me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.
Negociatat e së dielës, sipas palëve, shënojnë fillimin e fazës finale që për synim kanë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative që qon në normalizimin e raporteve mes dyja vendeve.
Ndryshe,takimi i së dielës është edhe takimi i parë i fazës finale të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin e së dielës në Bruksel, Thaçi dhe Vuçiq vazhduan negociatat pas një ndërprerjeje tre mujore./Gazeta Alo