Komandanti i FSK-së shkon në Turqi për bashkëpunim

Komandanti i FSK-së shkon në Turqi për bashkëpunim

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama është pritur nga komandanti i Forcave të Armatosura të Turqisë, gjenerali Hulusi Akar me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e deritashëm si dhe për mundësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi në të ardhmen edhe në fushat tjera, si: shkollimit, edukimit dhe stërvitjeve, e që janë me interes të përbashkët.

Komandanti i FSK-së e ka njoftuar homologun turk edhe me të arriturat e përgjithshme të FSK-së, si; shkollimet, trajnimet dhe bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar.

“Komandanti i FSK-së, gjatë qëndrimit në Turqi, realizoi vizitë zyrtare edhe në Universitetin e Mbrojtjes së Turqisë, ku është pritur nga stafi i larte i këtij institucioni ushtarak. Rama ka biseduar me udhëheqësit e Universitetit të Mbrojtjes për mundësinë e shkollimit dhe edukimit të pjesëtarëve të FSK-së, në këtë institucion ushtarak në të ardhmen, ku një numër i madh i pjesëtarëve të FSK-së, kanë diplomuar në këtë institucion ushtarak”, thuhet në njoftim.

“Gjatë takimit u tha se bashkëpunimi i FSK-së me Forcat e Armatosura të Turqisë është shumë i mirë dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke përfshirë edhe fushat tjera që janë me interes të përgjithshëm për të dyja palët. Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama, sot pritet ta përfundojë vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë”, thuhet në këtë njoftim.