Kosovari mashtrohet dhe humb 3500 franga nga “kompania” e udhëtimeve

Kosovari mashtrohet dhe humb 3500 franga nga “kompania” e udhëtimeve

Gjatë një viti, kosovari që jeton në Zvicër Egzon Hasani (57-vjeç), kursen para për të financuar pushimet që i kalon çdo vit në Kosovë. Ata i takojnë të afërmit në Prishtinë. Duke kërkuar bileta me çmime të volitshme për në Kosovë gjatë këtij viti, Hasani gjeti disa bileta me çmime të lira: Një kompani me emrin “Germany Airlines” i ofroi atij 11 bileta për vetëm 3500 franga.

Ai ra dakord për këtë çmim dhe ia transferoi paratë kompanisë. E gjithë familja u bë gati për të udhëtuar drejt Kosovës, derisa ndodhi diçka e papritur, shkruan sot gazeta zvicerane Blick, transmeton Insajderi.

Kunata e Egzon Hasanit lexoi në internet se kompania e ashtuquajtur “Germany Airlines” po i mashtronte kosovarët me bileta për në Kosovë.  Kompania në fjalë nuk ekzistonte. Bëhej fjalë për një kompani fiktive.

Këtë e kofnirmon edhe Urs Holdergger, zyrtar për media në Zyrën Federale për Aviacion Civil në Zvicër.

“Kjo kompani thjeshtë nuk ekziston. Sipas kësaj, nuk ka asnjë udhëtim të kësaj kompanie të regjistuar në Zvicër”, deklaroi Holdergger.

Ndërkaq, familja Hasani iu drejtua Policisë Zvicerane, ku lajmëroi rastin e dyshimtë.

Gazeta zvicerane Blick raporton se kontakti me këtë kompani është i pamundur. Madje, edhe uebsajti i kësaj kompanie nuk ekziston më. Është fshirë. /Insajderi.com