Çfarë ndryshimi i solli Kuvendit? – flet Kadri Veseli

Çfarë ndryshimi i solli Kuvendit? – flet Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se prej kohës që ka ardhur në krye të Kuvendit e ka rritur transparencën.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu është kampion në auditime gjatë gjithë këtyre viteve, në vazhdimësi. Unë si kryetar i Kuvendit vetëm sa e kam thelluar transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve”, theksoi Veseli pas takimit që ka pasur me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, nga i cili e ka pranuar raportin e auditimit për vitin 2017.

Bazuar në të dhënat e raportit, kryeparlamentari Veseli e vlerësoi Odën Ekonomike shembull të punës transparente dhe të shpenzimit të parasë, e vlerësuar tashmë edhe nga auditorë evropianë.

Veseli tha se Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Odën Ekonomike i lidhë vlerësimi i auditorëve për të dyja institucionet, duke i konsideruar kampionë të transparencës dhe të menaxhimit të buxhetit.

Kreu i Kuvendit bëri thirrje për syçeltësi në shpenzimin e parasë publike, ndërsa punën e Odës Ekonomike e konsideroi shembull të punës për agjenci që i raportojnë Kuvendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se qëllimi pse po i dorëzohet Kuvendit ky raport, është edhe fakti se në tre vitet e fundit, Kuvendi, bazuar në të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm, ka qenë njëra ndër institucionet më transparente.

Gërxhaliu tha se raporti i auditimit për OEK-ut për vitin 2017, i realizuar nga një kompani prestigjioze evropiane, është pa asnjë të gjetur negative, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës./Insajderi.com