Rrëfimi për dy ngjarjet tragjike që i ndodhën familjes Sadikaj nga Suhareka

Rrëfimi për dy ngjarjet tragjike që i ndodhën familjes Sadikaj nga Suhareka

Familja Sadikaj nga fshati Sopijë i Suharekës të martën hapi derën për të pritur të pame, pasi një ditë më parë në një aksident tragjik vdiqën 5 anëtarë të kësaj familje. Njerëz të shumtë po prisnin trupat e dërguar për obduksion. 32-vjeçari Jeton Sadikaj kishte vetëm një ditë që kishte ardhur nga Zvicra së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Vizita e parë që po bënte përfundoi tragjikisht kur vetura që po ngiste u përplas me një autobus në rrugën Duhël-Suharekë, shkruan Express.

Por ky rast, nuk ishte tragjedia e vetme me të cilën ishte përballur kjo familje.

29 vite më parë, në të njëjtën rrugë, kishin vdekur edhe 3 persona, njëri ndër ta babai i Jetonit, që atëherë e kishte lënë atë vetëm 4-vjeç.

Duke bartur dru, Shefket Sadikaj, së bashku me 3 djemtë Rexhepin (babai i Jetonit), Hesetin dhe Behxhetin, ishin përplasur me një kamion duke mbetur të vdekur në vend. Nga ky rast kishte shpëtuar vetëm Shefketi, babai i djemve dhe gjyshi i Jetonit. Kështu Jetoni dhe 2 vëllezërit e tij, të rritur jetim, më vonë kishin marrë rrugët e mërgimit nga ku po jetonin tash e sa vite.

Në fshatin Sopijë kujtojnë fare mirë rastin e ndodhur më 17 dhjetor të vitit 1989. Rasti i përsëritur sipas tyre, është një kob që ka tronditur të gjithë ata.

Banori i fshatit, Osman Berisha thotë se tetë viktima brenda këtyre viteve janë tragjedi shumë e madhe.

“Tragjedi e madhe ka qenë, ka ndodh me kamion, baba i tyre ka qenë e ka ngarku me dru, ka rrshit kamioni edhe i ka mbytën”, deklaroi ai.