Kolegji Fama dekoron mashtruesin e Presidentit

Kolegji Fama dekoron mashtruesin e Presidentit

Kolegji Fama para pak ditësh ka dekoruar me çmimin e nderit “Doctor of Humane Letters”, shtetasin amerikan, Otto Von Feigenblatt, mashtruesin e  Presidentit Hashim Thaçi.

Amerikani u zbulua se ishte mashtrues, kur ambasada amerikane i reagoi atij për mirënjohjet që shpërndante në emër të presidentit Donald Trump.

Feigenblatt në Kosovë u paraqit si person i cili po lobon për njohjen dhe promovimin e Kosovës, prandaj për këtë kontribut Presidenti Hashim Thaçi e dekoroi atë me çmimin “Ambasador nderi i Kosovës”.

Kjo i hapi rrugë që Feigenblatt të dekorohet nga kolegji “Fama”.

Kështu, në prezencë të të birit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës Armend Zemaj, Valentina Bunjaku e personaliteteve tjera publike, ky kolegj ia dha atij çmimin “Doctor of Humane Letters”.

“Dhënja e çmimit është bazuar për shkak se ka bërë shumë aktivitete në vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, sidomos në vendet latine, në promovimin e Kosovës”, thonë për Gazetën Fokus në këtë kolegj.

Zyrtarë të këtij institucioni deklaruan se në dhënien e këtij çmimi ndikim pati edhe zgjedhja e tij “Ambasador nderi” nga presidenti Thaçi.

“Në bazë të asaj që është zyrtarisht i shpallur nga presidenti ambasador nderi, në bazë të asaj ja kemi dhënë dhe në bazë të rekomandimeve që i kemi pasë. Në qoftëse presidenti im e cakton dikë ambasador nderi dhe ai bën aktivitete për njohje të Kosovës, në këtë bazë i është dhënë nderimi”, thonë në këtë kolegj për Gazetën Fokus.

Në rast se presidenti ia heq çmimin këtij personi, ata thotë se atëherë do ta shqyrtojnë mirënjohjen e dhënë.

Kë mashtroi tjetër Otto Von Feigenblatt?

E ndër personalitet e shumta të njohura për të cilat Feigenblatt ndau mirënjohje në Kosovë, janë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Haziri u dekorua “për angazhimin e jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik”, kurse Rugova u dekorua me çmimin Kentucky Colonel, që nëse bëhet një kërkim i thjeshtë në makinën e kërkimit “Google”, del se ky çmim u jepet vetëm shtetasve amerikan të cilët kanë shërbyer individualisht dhe publikisht, në avancimin e shtetit Kentucky.

Kur i morrën këto çmime, Haziri e Rugova u shprehen shumë të emocionuar.

“Një çmim i tillë që më jepet nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti Trump, është një mirënjohje që i jepet qytetarëve të Gjilanit për krejt atë viktimizim, sakrificë dhe dhembje që e kemi kaluar” deklaroi menjëherë pas marrjes së çmimit, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri.

Me çmim nga Feigenblatt u nderua edhe gazetarja Ramize Murtezi – Shala, gruaja e drejtorit të RTK-së, Mentor Shala. Ajo u nderua “për kontributin e saj të madh në sferën e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut”.