Thaçi shkoi t’i nderonte, serbët refuzuan ta presin

Thaçi shkoi t’i nderonte, serbët refuzuan ta presin

Serbët e fshatit Grackë kanë refuzuar ta presin e të takohen me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, me rastin e vizitës së tij të papritur në vendin e tyre, të mërkurën.

Kryetari i katundit në fjalë, Zoran Qirkoviq ka thënë se një këshilltar i Thaçit ka tentuar, mbrëmë, rreth dy orë, të bind atë dhe banorët tjerë ta presin mysfirin, kur ai të vinte këtu, një ditë më vonë.

“Familjet, bashkë me mua, refuzuan ta pranojnë Thaçin dhe bashkëpunëtorët e tij. I thamë se nuk është momenti dhe se derisa të mos gjenden urdhërdhënësit dhe përgjegjësit për krimin më të madh ndaj serbëve në Kosmet, Thaçi nuk është i mirëseardhur në Staro Gracko”, ka thënë ai, raportojnë mediet serbe, transmeton Klan Kosova.

Sipas fjalëve të tij, tentimi i Thaçit për të ndezur qirinj vetëm sa ka shqetësuar edhe më tepër 200 serbët e mbetur në këtë fshat.

Edhe banorë tjerë, siç raportojnë mediet serbe, kanë thënë se nuk e kanë mirëpritur ardhjen në Grackë të presidentit të Kosovës.

“Ardhja e Thaçit ishte hedhje e kripës në një plagë të freskët”, ka thënë Sonaj Zhiviq, përcjellë Klan Kosova reagimet e banorëve të thëna për Blic.

Kryetari i fshatit, Qirkoviq ka thënë se Thaçi ka qëndruar edhe më herët në Grackë.

“Mbrëmë e morëm informatën se Thaci, natën pasi ka ndodhur krimi, kur janë vrarë 14 korrës, ka qëndruar në fshatin tonë, në shoqërinë e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut, Bernard Kushner”, ka thënë ai.

Mediet raportojnë se deri në vitit 1999, në këtë fshat kanë jetuar rreth 500 serbë, ndërsa tash kanë mbetur afër 200, në 40 familje.

Më i riu nga 14 viktimat e krimit të 23 korrikut, ishte 17 vjeç./Insajderi.com