Ish-lideri i UÇK-së, presidenti Hashim Thaçi shkoi sot në fshatin Grackë për të nderuar viktimat serbe të vrarë në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës, por ai ra në gracka dëmi i të cilave tashmë është shumë i madh.
Qindra njerëz kanë shprehur pakënaqësinë ndaj faktit se presidenti kërkoi fillimisht që me çdo kusht të gjinden fajtorët e këtij krimi, duke ngjallur reagime të ashpra për mijëra shqiptarë të zhdukur gjatë luftës dhe mijëra të tjerë të vrarë, për të cilët ende nuk është gjetur fajtori.
Gracka e dytë në të cilën ra presidenti ishte pllaka përkujtimore.
Thaçi, u përkul para këtij memoriali për 14 qytetarët serbë të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, në fshatin Grackë të Lipjanit, në të cilën është i vendosur mbishkrimi “Viktimat e terrorit shqiptar të korrikut 1999”, ku shqiptarëve u referohet me termin fyes ‘shiptarskog terora’.
Ndërsa gracka e tretë ishte përgaditur nga vet banorët e fshatit Grackë.
Kryetari i katundit në fjalë, Zoran Qirkoviq ka thënë se një këshilltar i Thaçit ka tentuar, mbrëmë, rreth dy orë, të bind atë dhe banorët tjerë ta presin mysafirin, kur ai të vinte këtu, një ditë më vonë.
“Familjet, bashkë me mua, refuzuan ta pranojnë Thaçin dhe bashkëpunëtorët e tij. I thamë se nuk është momenti dhe se derisa të mos gjenden urdhërdhënësit dhe përgjegjësit për krimin më të madh ndaj serbëve në Kosmet, Thaçi nuk është i mirëseardhur në Staro Gracko”, ka thënë ai, raportojnë mediet serbe, transmeton Klan Kosova./Insajderi.com