Majlinda Kelmendi i bie pishman për kritikat ndaj institucioneve

Majlinda Kelmendi i bie pishman për kritikat ndaj institucioneve

Kur para 4 ditëve, fituesja e medaljes së artë në Paris, Majlinda Kelmendi, ishte kthyer në Prishtinë, në aeroport nuk kishte dalë askush ta pres. Ky injorim kishte bërë që Majlinda të kritikonte institucionet e Kosovës të cilat sipas kampiones botërore të xhudos po e shfrytëzojnë sukseset e saja.

“Kur është për me u lavdërua krejt kanë qejf, kur po i sjellim Kosovës medalje të mëdha jo të gjithë po kanë qejf me ardhë…”, kishte thënë Kelmendi me të mbërritur në Aeroport.

Por Kelmendi i ka rënë pishman për këtë deklaratë.

Në një intervistë për emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, Kelmendi e ka përmirësuar vetën duke thënë se kur ka kritikuar mungesën e organizimit të pritjes së saj nga Parisi.

“Kur e kam cekë që nuk kanë ardhë me më prit, e kam pas fjalën për mediat. Politikanët duhet me pranu që e kanë orarin e ngjeshur dhe nuk mundet kryeministri ose ministri që pas çdo grandsllemi me dalë me më prit në aeroport”, ka thënë Kelmendi, raporton Insjaderi.

Sipas saj, situata do të ishte ndryshe nëse do të bëhej fjalë për ndonjë suksese në Kampionatet Evropiane.

Ka treguar se i ka ngelur hatri në televizionin publik.

“Televizioni shtetëror ka dërguar veç një kameraman pa gazetar, për të cilin duhet me dhënë intervistë pa asnjë pyetje, pra me fol çka të duash ti. Kjo nuk është normale”, ka thënë Kelmendi.

E trajneri i  Kelmendit, Driton Kuka nuk është se i ka rënë pishman kur ka ironizuar me institucionet e Kosovës.

Kuka ka thënë se grandsllemi i Parisit ka qenë një garë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës do të duhej ta merrte më seriozisht për ta shënuar si sukses shtetëror.