Liqeni i Bovillës, vetëm 20 km larg Tiranës, mos e leni pa vizituar!

Liqeni i Bovillës, vetëm 20 km larg Tiranës, mos e leni pa vizituar!

Bukuritë natyrore të natyrës janë të shumta në Shqipëri. Nëna natyrë nuk ka kursyer asgjë për këtë vend, pasi pamjet përrallore të këtij shteti po tërheqin vizitorë të shumtë nga e gjithë bota.

Një nga vendet më të bukura të shtetit shqiptar, është Liqeni i Bovillës, i cili të mahnit me peizazhin që ofron për turistët, transmeton Indeksonline.

Fotografi i njohur Nëntor Oseku, ka publikuar disa foto magjepsëse të këtij liqeni në profilin e tij në Facebook, që të bëjnë t’i shikosh nga disa herë.

“Për ta parë lindjen e diellit mbi sipërfaqen e liqenit, jemi zgjuar në orën 4.30 të mëngjesit. Për ne ishte një përjetim i rrallë, krahas lindjes së diellit, hapësira mbi liqe ishte e mbuluar me re, andaj, na është dashur edhe 2 orë të tjera të presim, derisa dielli ka shpërthyer retë në tërë hapësirën e liqenit.

Punimet për ndërtimin e liqenit kishin filluar në vitin 1988, por për shkak të rrethanave të mirënjohura, ato u ndërprenë për t’u rifilluar në vitin 1993, mbështetur nga qeveria italiane. Punimet përfunduan në vitin 1996, kurse për mbushjen e liqenit u deshën edhe 2 vjet të tjera, kështu që në vitin 1998 projekti i liqenit u finalizua.

Liqeni përfshin sipërfaqen prej 4.6 km, me thellësi nga 18m deri në 53m. Zona e Bovillës përshkohet nga bukuri natyrore përrallore, kurse nga uji i këtij liqeni, që ka shtrirje në dy Komuna, të Tiranës dhe atë të Krujës, furnizohen me ujë të pijshëm një pjesë të konsiderueshme të banorëve të Tiranës.

Nga çdo lartësi e maleve të sipërcekura, Liqeni i Bovillës ka pamje madhështore, andaj kjo zonë paraqet interes për grupe kacavjerrësish nëpër shkëmbinj, ngjitjes malore, adhuruesve të kampingut dhe çiklizmit malor.

E falënderojmë Choose Balkans për mikpritjen në Tiranë dhe Agron Aruci për bujarinë e treguar! Vizitojeni SHQIPËRINË!”, shkruan Oseku në Facebook teksa shpërndanë fotografitë për ndjekësit e tij.