
Propozimi më i ri për fuqi të huaj punëtore vjen nga ministri gjerman i punës Hubertus Heil. Ai e tha këtë në një intervistë të fundit në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung.
“Mund të përfytyrojë”, thotë ai “që fuqi punëtore nga jashtë të vijë për gjysëm viti në Gjermani dhe të kërkojë punë këtu. Pra të vijë me një vizë për të kërkuar punë”.
Lindita Arapi, gazetar e Dewtche Welles shpjegon se qëllimi i kësaj nisme është që të lehtësohen të gjitha procedurat burokratike për fuqi punëtore nga jashtë. Në këtë rast, nuk ka rëndësi vendi nga do të vijë kjo fuqi punëtore, ajo mund të jetë nga Kosova, apo edhe nga Spanja.
“E reja në këtë propozim është se mund të vishë me vizën gjashtëmujore pa pasur edhe kontratën e punës, pra të vishë vetë personalisht për të kërkuar punë, për të lidhur kontratë dhe jo si më parë kur kërkohej kontrata e nënshkruar, derisa të gjitha shpenzimet duhet t’i përballojë vetë individi”, ka thënë Arapi.
Sipas saj, plani është që nëse nuk ke rregulluar një vend pune brenda kësaj periudhe, që të rregulloj kontratën dhe kontributet sociale që duhet të paguajë, të gjitha ato aspekte që duhen për një jetë të rregullt, në Gjermani atëherë duhet të kthehesh në vendin e origjinës.
Pra kjo vizë është më shumë një ndihmesë për ata që duan të gjejnë vetë punë, por nuk ke asnjë lloj ndihme sociale me këtë vizë si në rastet e tjera ku Gjermania ju jep ndihmë njerëzve të papunë.
Ndryshe nevoja më e madhe e tregut të punës paraqitet për infermierët për pleqtë, ku 80 mijë vende pritet të hapen në këtë sektor dhe qysh tani janë 36 mijë bosh. Ky nuk është një profesion i preferuar prej gjermanëve, pasi puna është e lodhshme, pagesa nuk është kushedi sa e mirë dhe tani mendohet të rritet paga për infermierët e azileve të pleqve. Po ashtu kërkohen edhe profesionistë të fushave të tjera dhe zanatlinj të ndryshëm. Në Gjermani llogaritet se ka 750 mijë vende vakante të punës të cilat duhet plotësuar.
Arapi sqaron se ky është vetëm propozim i ministrit, kurse në vjeshtë pritet miratimi i këtyre propozimeve kur edhe do të dalin më shumë detaje. Ideja e ministrit mbështetet në nevojat e ekonomisë gjermane. Në një plan shtatëpikësh të Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë bën pjesë edhe kjo pikë, që të lehtësohet ardhja në Gjermani me viza për të kërkuar punë.
Gjermania deri në fund të këtij vitit pritet të ketë edhe Ligjin e Migracionit për fuqinë punëtore, por modeli kanadez që merrej shembull nga Gjermania ka edhe kritika dhe Kryetari i Këshillit të Specialistëve për Migrimin në Gjermani, Thomas K. Bauer thotë se sistemi me pikë që ka Kanadaja nuk është aq i mirë sa e ka emrin. Ai kërkon madje që edhe gjuha të mos vihet si kriter, sepse gjermanishtja, sipas tij, nuk është një gjuhë botërore dhe të mos krijohen barriera për ata që duan të vijnë të punojnë në Gjermani.