Banka Botërore e cilëson SIF-in të papërdorshëm për sigurimet shëndetësore

Banka Botërore e cilëson SIF-in të papërdorshëm për sigurimet shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë muaj më parë ka deklaruar se po “planifikon” të nisë me implementimin e Ligjit për sigurime shëndetësore pa Sistem të Informimit Shëndetësor (SISh), por me Sistem të Informimit të Fondit (SIF), shkruan sot Koha Ditore.

Edhe ish-ministri i Shëndetësisë, në mandatin e kaluar, ka deklaruar se përmes SIF-it është e mundur nisja e sigurimeve shëndetësore. Por me SIF-in aktual ka pak shanse të vihet në jetë ky ligj. Këtë e thotë Banka Botërore, në një raport që flet për funksionalitetin e këtij sistemi. Sipas burimeve të gazetës, ky institucion ka gjetur se SIF-i nuk mund të përballojë të dhënat që do të duhej të ishin funksionale për të nisur sigurimet shëndetësore.

Në dijeni për raportin janë edhe drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sa i përket analizës së Bankës Botërore, është bërë një raport rreth SIF-it (Sistemit të Informimit të Fondit të Sigurimeve, i njohur si HIFS), për të cilin kanë dalë disa gjetje, ndërsa analiza nuk ka të bëjë me krejt Sistemin e Informimit Shëndetësor (SISH)”, thuhet në një përgjigje me shkrim të Departamentit për komunikim në Ministrinë e Shëndetësisë.