Flet Lutfi Haziri, tregon se a propozoi shkëmbime territoresh me Serbinë

Flet Lutfi Haziri, tregon se a propozoi shkëmbime territoresh me Serbinë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili ishte pro përfshirjes së partisë së tij në një Ekip Negociator, thotë se partia e tij e ka qëndrimin e qartë sa i përket kësaj teme. Ai në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka theksuar se LDK aktualisht nuk është në negociata.

Sipas tij, formula e LDK është që të ketë legjitimitet para negociatave.

Haziri ka folur edhe për deklaratën e Presidentit Thaçi, i cili kishte thënë se do ta shqyrtojë idenë e Hazirit për shkëmbim territoresh me Serbinë.

“Është shumë i rëndësishëm fakti se presidenti Thaçi, idenë time në vitin 2011 e ka cilësuar qëndrim të rrezikshëm. Unë e kam parë që presidenti Thaçi e ka përcjellë dhe kuptuar deklaratën time dhe është çështje e tij se si e vlerëson. Por, LDK nuk është pjesë e dialogut me Serbinë dhe në këtë rast as unë nuk jam. Qëndrimi ynë opozitar është i qartë. Ne vazhdojmë me ushtru detyrën tonë në Kuvend dhe sa i përket dialogut, ne e kemi formulën: legjitimiteti para dialogut”, ka deklaruar Haziri për Gazeta Blic.

Nënkryetari i LDK-së, ka mohuar se ideja e tij ka të bëjë me shkëmbim territoresh dhe ndarje të Kosovës.

“Në vitin 2011 unë e kam dhënë propozimin tim, por i cili nuk ka të bëjë me shkëmbim territoresh dhe copëtim të Kosovës. Ka të bëjë me realizimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore”, ka thënë ai

“Duhet thënë se ish – Jugosllavia në vitin 1956 e ka riorganizuar padrejtësisht, duke shkaktuar ndryshim demografike në atë kohë. Me këtë akt, është ulur përqindja e shqiptarëve në Kosovë, duke e rritur përqindjen e serbëve me futjen e disa fshatrave të Leposaviqit dhe Zubin Potok në Mitrovicën e atëhershme brenda Kosovës”, është shprehur Haziri.

Edhe njëherë Haziri ka shpjeguar idenë e tij për çështjen e territorit në Luginën e Preshevës. Duke insistuar se nuk se ideja e tij nuk ka të bëjë me shkëmbim territoresh.

“Po e ritheksoj se këtë ide, unë e kam pasuar me sponsorimin e një Rezolute në Kuvendin e Republikës më 2013 për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve në Kosovën Lindore, e cila është e miratuar me konsensus. Por, sot e asaj dite nuk ka progres të madh. Ne duhet të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës Lindore, Preshevës, duke u respektuar e drejta për referendum dhe duke u harmonizuar me bashkësinë ndërkombëtare. Por, Kosova duhet të ruhet në tërësinë e saj”, tha ai raporton Gazeta Blic.

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi për herë të parë ka pranuar publikisht mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Duke komentuar kërkesën e Lutfi Hazirit për të shkëmbyer Luginën e Preshevës me Veriun, Presidenti ka premtuar se do ta trajtojë seriozisht këtë ide.

“Realisht, për diçka të tillë ka kohë që flasin njerëz të botës akademike. Edhe akademikë të Kosovës. Edhe liderë politikë, në Kosovë, e Luginë të Preshevës. Dëgjoj me vëmendje çdo deklarim të liderëve politik. E çmoj përvojën politike të z. Haziri. Duhet ta dëgjoj me vëmendje sic është theksuar tekstualisht dhe të ndërtoj opinionin tim”, ka thënë Thaçi.

Thaçi sa ishte Kryeministër, në nëntor të vitit 2011, i kishte reaguar keq Lutfi Haziri kur pati nisur idenë e shkëmbimit të territoreve. Atëkohë, Thaçi kishte anashkaluar temën e buxhetit për të folur kundër idesë së Hazirit. Kishte thënë se ishte ide e rrezikshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës dhe pa përkrahje ndërkombëtare.

“Kjo është më tepër se buxheti, ndarja e territorit të Kosovës dhe çdo ide e tillë është shumë e rrezikshme Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të respektojë në plotni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për respektimin e plotë të integritetit territorial dhe asnjë cep mos t’i jepet Serbisë”, kishte thënë Thaçi, në fund të vitit 2011.

Në anën tjetër, Kryeministri Ramush Haradinajt e ka quajtur ditë më parë shakaxhi Hazirin dhe ka kundërshtuar propozimin e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Sipas Haradinajt, Lutfi Haziri shpesh për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E arsyeja pse këtë e bën Haziri, sipas Haradinajt ka te bëjë me çështje elektorale.

“Luta është një shakaxhi për të marrë votat e preshevarëve me Anamoravë. Ai e mbanë gjallë këtë temë në vazhdimësi vetëm për qëllime elektorale”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ditë më parë Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka thënë se LDK është distancuar nga ideja e nënkryetarit, Lutfi Haziri duke thënë se kjo është ide e tija personale.

“LDK është distancuar nga kjo ide dhe këtu është fatkeqësia e Kosovës kur zotëri Thaçi mendon se si individ mund të bëj çfarë të dojë. Dhe veprimet e ti të cilat tashmë e kanë zënë në kurthin e vet të cilën për interesa të ti personale ju kurdis, përdor deklarata të individëve që të fshehët pas tyre. Kosova nuk është pronë e asnjë individi kushdo qoftë ai”, ka deklaruar ajo.

Kosova është Republikë Parlamentare, çdo vendim të rëndësishëm për vendin duhet ta vendos Parlamenti i Republikës së Kosovës”, ka thënë Gaxherri.

Kujtojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës po kundërshton ashpër rolin e Hashim Thaçi për negociatat me Serbinë. “”

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga Kuvendi dhe nga Qeveria. Presidenti s’ka kompetenca kushtetuese për të udhëhequr këtë proces. Nuk është kompetencë e tij kushtetuese . Po të ishte e drejtë kushtetuese e tij, ai do ta kishte kryer deri tash dialogun” ka thënë Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Hoti më tej ka shtuar se për bisedime “duhet një platformë që merr 2/3 e deputetëve që vendos parimet dhe më pas kryeministri e udhëheq procesin”.

Ai ka thënë se vijat e kuqe të këtij procesi janë mbrojtja e integritetit territorial dhe karakteri unitar i shtetit.