Si çdo ditë tjetër 21-vjeçarja, Nikolina Zefaj, shkonte për të nxjerrë ujë në bunarin i cili gjendet pak metra larg shtëpisë së saj në fshatin Ranoc të komunës së Klinës. Por, të dielën Nikolina, e gjeti vdekjen në atë bunar. Babai i saj, ishte ai që e nxori të vdekur të bijën nga aty. E familja, rastin po e cilëson si aksidental, ndërkohë që policia e Kosovës po i vazhdon hetime e saj rreth kësaj vdekjeje.
Një bunar i thellë 10 metra në oborrin e shtëpisë së familjes Zefaj në fshatin Ranoc të Klinës, të dielën i mori jetën Nikolinës, 21-vjeçare të kësaj familjeje. Ajo ra në bunar derisa ishte duke nxjerrë ujë.
Të paktën kështu po thonë familjarët e viktimës. Të hënën ka qëndruar në familjen Zefaj. Ata kanë deklaruar se e bija e tyre kishte qenë duke vuajtur nga sëmundja e epilepsisë.
E ataku epileptik, sipas, kushëririt të viktimës, ia mori jetën Nikolinës-21 vjeçare. Kushëriri i saj ka shpjeguar se mbesa e tij në momentin kur ka rënë në bunar ka pësuar atak epileptik.
“Ajo kishte shkuar për të nxjerrë ujë në bunar, kur është afruar tek bunari ka pasur marramendje dhe ka rënë në bunar, aty edhe ka vdekur”, thotë një kushëri i viktimës.
Tutje nga familja e së ndjerës thonë se ajo ka qenë vajzë e qetë. Nuk njihej për probleme me ndokënd.
“Ajo ka qenë vajzë e sjellshme dhe e urtë, jetën e ka pasur pak të vështirë për shkak të sëmundjes që e ka pasur.”, thotë një i afërm i të ndjerës për Express.
Por, pavarësisht këtyre deklaratave të familjes, policia e Kosovës po e heton këtë vdekje. Këta të fundit në trupin e pajetë të Nikolinës e kanë bërë analizën e obduksionit. E njëjta pritet që të dal ditëve në vijim.
“Viktima ka qenë duke jetuar me prindërit. Njësiti i zjarrfikësve ka nxjerrë trupin e pajetë nga bunari, kurse ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në IML për autopsi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Trupi i pajetë i Nikolinës së ndjerë u varros sot në orët e pasdites në varrezat e fshatit Ranoc të Klinës.