Presidenti Hashim Thaçi i cili, në vitin 2017 kishte ndërmarr iniciativën e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës nga e cila nismë ishte tërhequr pastaj, sot përmes një konference për media tha se nuk dihet se kur Kosova mund të bëhet me ushtri të veten.
“Me gabimin tonë u vonuam së themeluari Ushtrinë e Kosovës në vitin 2014 dhe tani jemi në proces regresiv, të stagnimit dhe askush nuk e di se kur do ta arrijmë atë objektivë”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media në të cilën kryesisht ka folur për procesin e dialogut me Serbinë.
“Nuk duhet të vonohemi si për demarkacionin t’i humbin tre vjet. Sot kërkojmë mundësinë e vitit 2014 por s’mund të bëjmë asgjë sepse bota ka ndryshuar – rrethanat kanë ndryshuar. Ne duhet të jemi me vetveten, para se tjerët të jenë me ne. Ne duhet t’ua lehtësojmë atyre punën me vendimet tona, jo t’ua vështirësojmë mbështetjen”, ka thënë Thaçi duke kritikuar spektrin politik për vonesat në procese.