Bahtiri flet për emërimin e nipit në pozitën e Drejtorit

Bahtiri flet për emërimin e nipit në pozitën e Drejtorit

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur rreth emërimit të nipit të tij, Nehat Bahtirit në pozitën e Drejtorit të Emergjencës në Komunë.

Ai ka thënë se çdo njeri i devotshëm duhet të jetë në vendin e duhur dhe sipas Bahtirit nipi i tij ka pasë pagë të madhe por ka ardhë ta ndihmojë Bahtirin.

“Kryetari ka drejt me emëru kon dëshiron dhe kënd ka besim. Ai është një djalë që ka studiu në Irlandë dhe ka pas rrogë të madhe ka ardhë mem ndihmu mua, pastaj e kam emeru drejtor të Emergjencës”, tha Bahtiri për T7.

Më tej tha se kjo çështje nuk duhet të bëhet temë pasi nipi i tij është djalë i shkëlqyer.

“E dini me çfarë kriminaliteti ka qenë Mitrovica më ka vy një njeri afër vetës. Mendoj që çdo njeri i devotshëm do të duhet të jetë në vendin e duhur. Njerëzit që kanë vullnet të punojnë i përkrahi. Mos ta bojna temë ketë se është djalë i shkëlqyer”, tha Bahtiri.

Ai po ashtu ka folur edhe rreth rastit të gazetarit Shkumbin Kajtazit.

“Nuk është e vërtetë që e kam sha. Nuk e kam shkarku motrën e tij, ajo është në kompani private që të merr në punë kur të dëshiron. Pyte menaxhmentin e kompanisë pse e kan largu jo mua. Kjo është temë e mbyllur”, tha Bahtiri.

Me tëj tha se nëse vajzën praktikante e ka emëruar shefe të kabinetit siç është raportuar në media do të jap dorëheqje.

“Nëse unë e kam numëru atë shefe unë sot japi dorëheqje”, tha ai.