Kanceri që mori jetën e tre personaliteteve brenda 2 muajve

Sëmundja e rëndë e kancerit, ua mori jetën tre personaliteteve të njohura të artit. Kujtim Paçaku, Ragip Sylaj dhe Bekim Lumi, kanë vdekur nga kjo sëmundje, pak më shumë se dy muaj distancë kohore.

Kanceri që mori jetën e tre personaliteteve brenda 2 muajve

Brenda pak më shumë se dy muaj, sëmundja e kancerit ua mori jetën tre personaliteteve të njohura të artit në Kosovë. Kujtim Paçakut, Ragip Sylajt dhe Bekim Lumit. Të tre këta, për një kohë gjatë vuanin nga sëmundja e kancerit. Ata vdiqën duke lënë lënë pas vetës krijimtari të madhe letrare: libra, poezi, dhe shfaqje.

Ish-deputeti dhe ish-autor i shumë poezive, Kujtim Paçku, sëmundja e kancerit ia kishte marrë jetën më 17 maj të këtij viti.

Paçku kishte lindur në mars të 1959, në Prizren. Ai kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për t’u bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.

Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, po ashtu kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris. Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.

Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë. Ish-deputeti tashmë i ndjerë u mor edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra.

FOTO: Kujtim Paçaku, ish- deputet dhe shkrimtar

Nga sëmundja e kancerit, në moshën 59-vjeçare, ka vdekur shkrimtari dhe gazetari Ragip Sylaj. Sylaj punoi si mësimdhënës në shkollën “Skender Luarasi” në Suharekë, ndërsa veprimtarinë e tij prej gazetarit e ushtroi si gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” si dhe në dy të përditshmet tjera “Bota sot” dhe “Zëri”.

Shkrimtari Sylaj botoi 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme.

Që nga 3 maji 2009, Sylaj punoi si Zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

FOTO: Ragip Sylaj, ish- gazetar dhe shkrimtar

Për dy vjet me radhë, profesori dhe regjisori i njohur, Bekim Lumi, ishte përballur me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje, atij ia mori jetën më 30 korrik. Lumi numëron dhjetëra shfaqje të realizuara, e që kanë rezultuar të suksesshme.

Në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, regjisori Lumi, në qershor të këtij viti dha premierën e shfaqjes së tij të fundit “Arturo Ui”, që erdhi në përvjetorin e 120-të të lindjes së autorit të saj, Bertolt Brecht.

Kurse, gjatë ditës së sotme, është mbajtur mbledhja përkujtimore kushtuar regjisorit Lumi. Në kuadër të këtij organizimi në Teatrin Kombëtar, me arkivolin në prapavijë është luajtur pjesa e fundit e shfaqjes “Arturo Ui” – dhe kështu është plotësuar amaneti i Lumit, që të përcillej me shfaqjen Arturo Ui./Insajderi.com

FOTO: Bekim Lumi, ish-profesor dhe regjisor 

 

Testament i paautorizuar i Bekim Lumit për Republikën e Gangsterëve