Rasti i mbrëmshëm nuk është i vetmi në Kosovë, ku viktimat ishin lënë të pa mbrojtura nga shteti. Njësoj ndodhi edhe me Dijana Kastratin e Zejnepe Bytyqin. Ende mungon drejtësia e plotë edhe për vrasjen e Diana Zhubit, Donjeta Pajazitit, Antigona Morinës dhe pesë grave tjera që u vranë vetëm vitin e kaluar.

Pak orë para se Pjetër Nrecaj të qëllonte me automatik duke i lënë të vdekura gruan dhe vajzën e tij, i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas. Viktima ishte ankuar në polici për kërcënimin, shkruan Insajderi.
Kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj, ka thënë se viktima ishte ankuar në polici për kërcënimin “policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur” ka thënë Selimaj.
Vetëm kaq ka bërë policia, pasi që Nrecaj arriti të shkoj në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe në koridor të shtëpisë në lagjen Brekoc të Gjakovës, duke shtënë me kallashnikov la të vdekur atë dhe vajzën e tyre.
I dyshuari ka qenë person i njohur për prokurorinë pasi ndaj tij ka aktakuzë për dhunë në familje. Madje ai kishte qenë në paraburgim nga data 12 maj deri në 6 qershor të këtij viti.
Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh dhe kishin pesë fëmijë dy prej të cilëve jetonin me të atin dhe tre me nënën.
Gratë tjera që u lanë në mëshirë të bashkëshortëve vrasës
Raste i mbrëmshëm është i fundit që ndodhi, por nuk është i vetmi në Kosovë. Njësoj në mëshirën e vrasësit shteti e kishte lënë edhe Dijana Kastrati.
Janë bërë gati shtatë vjet që kur Diana u vra në pikë të ditës vetëm disa metra larg shtëpisë së saj. I dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe drejtësisë kosovare, shkruan Insajderi.
Jashari tash e sa vjet gjendet në Spanjë. Në maj të vitit 2011 ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle në bazë të urdhër arresti ndërkombëtar por ky nuk shtet asnjëherë nuk ka pranuar ekstradimin e tij në Kosovë.
Pamundësia e shfrytëzimit të mekanizmave ndërkombëtar, si INTERPOL-i për ekstradimin e tij, ka bërë që ai mos të gjykohet asnjëherë për veprën e tij.
NJë viktimë tjetër e vrasjes nga burri është Zejnepe Bytyqi gruaja nga Suhareka.
Vrasja e saj kishte ndodhur pas shumë telasheve dhe rrahjeve, përgjatë gjashtëmbëdhjetë viteve torturë.
Për vrasjen mizore të Zejnepes, vrasësi i saj u dënua me 12 vite burgim. Ky dënim u ngrit për disa vite më shumë vetëm pas protestave dhe presionit publik, shkruan Insajderi.
Me 17 shkurt 2016 kishte mbetur e vrarë 35 vjeçarja Diana Zhubi, përkundër që nga ekspertiza ndërkombëtare e vërtetoj se ajo u vra nga i dashuri i saj, ajo u raportua si e vetëvrarë.
Kjo ekspertizë ndërkombëtarë kishte vënë në dyshim prokurorinë e rastit, e cila kishte konstatuar
vrasjen e saj si vetëvrasje.
Donjeta Pajaziti është vajza tjetër njëzetekatër vjeçare e cila u gjet e vrarë në bjeshkët e fshatit të
saj, pas gjashtë jave kërkimesh pas zhdukjes së saj.
Për rastin e Donjetës fillimisht ka pasur një të dyshuar kryesor me të cilin lidheshin të gjitha provat, mirëpo pak ditë më parë ky i dyshuar u lirua nga akuza për vrasjen e saj.
Sipas vendimit të gjykatës, provat të cilat janë në dispozicion nuk janë në përputhje me viktimën, shkruan Insajderi.
Antigona Morina ka vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.
Zena ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Rahovec, ndërsa ankesa që ishte bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët e gjykatës.
Gjashtë vite pas rastit janë organizuar edhe protesta nga rrjeti i Grave të Kosovës duke kërkuar nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti, shkruan Insajderi.
Pesë vrasje të grave vetëm vitin e kaluar
Pesë vrasje të grave nga bashkëshortët kanë ndodhur vetëm vitin e kaluar, shkruan Insajderi.
Në dhjetor burri Xh.T. kishte vrarë gruan e tij në fshatin Radishevë të Skenderajt. I njëjti më pas ka plagosur edhe motrën e bashkëshortes dhe burrin e saj.
Arsyeja që kishte shtyrë të kryente këtë akt sipas policisë ka qenë një telefon që motra i kishte blerë viktimës.
Në muajin nëntor një rast i vrasjes së një gruaje ka ndodhur edhe Pejë.
Burri 66 vjeçar e ka vrarë me sëpatë gruan e tij Sevdije Berisha e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK.
Sipas policisë Berisha kishte goditur gruan e tij me sëpatë gjatë kohës kur ajo po flinte. Për motivet që dyshohet se janë raportet e këqija me bashkëshorten ai kishte goditur atë disa herë në kokë dhe pjesë të tjera të trupi.
Përveç vrasjes së gruas Isen Berisha kishte plagosur edhe renë e tij shtatzëne Arlindën e cila ka tentuar ta parandalojë dhunën. Ajo ishte goditur në kokë dhe në krahun e majtë me sopatë .
Një grua kosovare u vra nga bashkëshorti në Gjermani.
Vetëm 5 javë pasi kishte nisur jetesën në Gjermani Arianita Zahiti nga Vushtrria ishte gjetur e vrarë me thikë në banesën ku jetonte.
Vrasjen e saj e ka pranuar burri i saj Avdyl Nasufi, i cili me të kryer krimin ishte dorëzuar tek autoritetet gjermane.
Burri 36 vjeçar dhe gruaja viktimë 27 vjeçe, të dy nga Vushtrria, ishin martuar në prill të vitit 2017.
Në Gjermani një shqiptarë tjetër kishte vrarë gruan, vajzën dhe në fund edhe veten.
Rapsodi i njohur kosovar, Sami Veseli fillimisht kishte shtënë mbi vajzën Shkurten e cila kishte mbetur e vdekur në vend kurse bashkëshortja ishte dërguar në spital e cila më vonë vdiq.
Kryefamiljari që prej kohësh jetonte në Frankfurt të Gjermanisë me 5 fëmijët e me gruan, motivet që e kishin shtyrë të kryente këtë vepër u thanë se lidheshin me akte morale.
”Jeta në kulturat e huaja dhe sfidat e vështira në mërgim japin mundësi që të degjenerohemi e të humbim fëmijët dhe familjen… na shtyjnë të bëjmë akte të rënda vetëm e vetëm që të ruajmë fytyrën dhe ndërgjegjen shqiptare”, kishte njoftuar për lajmin njëri nga miqtë e rapsodit. /Insajderi.com