Blert Morina kundër Republikës së Kosovës

Blert Morina kundër Republikës së Kosovës

Në vitin e fundit të shkollës së mesme e ndaja bankën me 3 nxënës tjerë, në mes të tyre edhe me Blertën. Një shoqe e dashur, e çiltër, nganjëherë e ndrojtur por gazmore, e cila nuk e vishte fundin e uniformës së shkollës dhe gjithmonë vishej e sillej si djalë. Nuk kemi biseduar kurrë se pse, qysh, e tek. Muhabeti na shkonte, kaq dukej me rëndësi në atë kohë.

Shumë vite pasi e kishim përfunduar shkollën e mesme, më rastisi të lexoj një artikull në Kosovo 2.0 ku një nga të intervistuarit ishte Blert Morina. Aty e kuptova se Blerti është transburrë dhe se nuk kishte dashur ta vishte fundin e uniformës sepse identifikohej me gjininë mashkullore e jo femërore.

Në shkollë të mesme ai e kishte lutur drejtoreshën e shkollës t’ia mundësojë që në vend të fundit të uniformës të veshë pantallona, ndërsa ajo i kishte thënë: “Nëse nuk të pëlqen fundi i uniformës, atëherë shko në një shkollë tjetër”.

Kur u takuam përsëri pas 8 vitesh, e pyeta Blertin se a e kishte ndërruar emrin në dokumente të identifikimit. Ai më tha se e kishte lënë këtë punë për kur ta paraqesë kërkesën edhe për ndërrim të shënuesit të gjinisë. I tregova se me shumë dëshirë do ta përfaqësoja si avokate kurdo që vendosë ta nisë këtë proces. Kështu filloi beteja jonë për njohjen ligjore të identitetit gjinor të Blertit nga shteti i Kosovës.

Kërkesën për ndërrim të emrit dhe të shënuesit të gjinisë e parashtruam në fillim të prillit 2018 në Zyrën e Gjendjes Civile dhe brenda afatit ligjor morëm vendimin refuzues nga kjo zyrë, me arsyetimin se kërkesa nuk është e arsyeshme. Pra, sipas tyre nuk mjafton mospërputhja e identitetit gjinor të personit me shënuesin e gjinisë dhe emrin e paraqitur në dokumente të identifikimit për të kërkuar ndryshimin e tyre. Ky ishte i gjithë spjegimi që Zyra e Gjendjes Civile e ka dhënë për refuzimin e kërkesës.

Për shkak se kërkesa e paraqitur ishte e paprecedent, refuzimi ose pranimi i kërkesës për ndryshim të shënuesit të gjinisë dukeshin si baraz të mundshme. Mirëpo, refuzimi i kërkesës për ndërrimin e emrit nga “Blerta” në “Blert”, me fjalë tjera refuzimi i heqjes së një shkronje nga emri ishte krejtësisht i papritur për ne. Ligji për Emrin Personal dhe Udhëzimi Administrativ për Procedurat e Ndërrimit të Emrit Personal nuk parashohin “mungesën e arsyeshmërisë” si bazë ligjore për refuzimin e kërkesës për ndërrim të emrit. Dhënia e arsyes se përse personi po e kërkon ndërrimin e emrit është e natyrës deklarative dhe refuzimi i kërkesës për ndërrim të emrit për shkak se kërkesa nuk është “mjaftueshëm e arsyeshme” është i pabazë.

Edhe refuzimi i kërkesës për ndërrim të shënuesit të gjinisë është i pabazë. Ani pse rasti i Blertit është rasti i parë i njohur i një personi transgjinor që e kërkon këtë të drejtë nga shteti i Kosovës, baza ligjore është e qartë: identiteti gjinor njihet ligjërisht dhe është kategori e mbrojtur sipas Ligjit për Barazi Gjinore, Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të mos harrojmë se sipas nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës, të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë duhet të interpretohen në harmoni me praktikën gjyqësore të GJEDNJ. Që nga viti 1992 në rastin B. Kundër Francës,  GJEDNJ e ka njohur të drejtën në identitet gjinor si pjesë e të drejtës në privatësi nga e cila dalin një numër obligimesh pozitive për shtetin për ta njohur e mbrojtur këtë të drejtë.

E megjithkëtë, edhe kur në ankesën tonë ndaj vendimit refuzues paraqitëm një mori argumentesh në favor të njohjes së identitetit gjinor, nuk mjaftoi që Agjencia për Regjistrimin Civil t’ia njohë Blertit të drejtën në identitet gjinor dhe t’ia ndërrojë emrin dhe shënuesin e gjinisë.

ARC e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar duke mbajtur qëndrimin se “arsyeshmëria” e ofruar për ndërrimin e emrit nuk ishte e mjaftueshme dhe shtoi se është dashur të paraqesim dokumente e fotografi që e vërtetojnë se emri e pengon integrimin e Blertit në shoqëri. Madje në këtë vendim refuzues u shtuan arsyet e refuzimit duke theksuar se ka qenë dashur të ofrohen dëshmi që “gjinia si fakt natyre” është ndryshuar dhe se kjo dëshmi duhet të jetë raport mjekësor.

Gjinia është konstrukt social andaj edhe nuk lidhet domosdoshmërisht me seksin biologjik të personit. Ka shumë persona transgjinor që nuk dëshirojnë t’i nënshtrohen trajtimeve mjeksore që shaktojnë ndryshime fizike, ka persona tjerë transgjinorë që nuk kanë mundësi financiare ta paguajnë trajtimin mjeksor, e ka edhe të tjerë që nuk mund t’i përballojnë fizikisht trajtimet mjekësore për të ndryshuar fizikun e tyre. Prandaj kushtëzimi i njohjes ligjore të gjinisë me të cilën identifikohet personi me kryerjen e ndërhyrjeve kirugjike që e ndryshojnë seksin biologjik është i palogjikshëm dhe i gabuar. Vetë Ligji për Barazi Gjinore e definon identitetin gjinor kështu:

“Identiteti gjinor – kjo karakteristikë e mbrojtur mbulon identitetin që ka të bëjë me gjininë e një personi dukjen apo karakteristikat tjera që lidhen me gjininë e një personi (qoftë përmes ndërhyrjes kirurgjike apo jo) duke mos marrë parasysh seksin qe personi e ka pasur në lindje.”

Edhe GJEDNJ në rastin A.P., Nicot dhe Garçon kundër Francës ka vendosur se është shkelje e të drejtave të njeriut, konkretisht shkelje e të drejtës në privatësi, kushtëzimi i njohjes së identitetit gjinor vetëm pas kryerjes së ndërhyrjeve kirurgjike apo trajtimit hormonal që e shkakton ndryshimin e pakthyeshëm në dukje të personit. Kjo sepse në shumicën dërmuese të rasteve këto trajtime shkaktojnë humbje të aftësisë riprodhuese te personat transgjinorë. Sipas GJEDNJ shteti nuk mund ta kushtëzojë njohjen e identitetit gjinor duke ia cënuar personit të drejtën në integritet fizik. Madje Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Torturë dhe Trajtim ose Ndëshkim tjetër Çnjerëzor e Poshtërues, e ka cilësuar këtë kushtëzim të njohjes së identitetit gjinor si të barabartë me torturën.

Përmes vendimeve të tyre refuzuese, Zyrja e Gjendjes Civile dhe Agjencia për Regjistrimin Civil kanë interpretuar gabimisht legjislacionin vendor dhe kanë anashkaluar dispozitat Kushtetuese të mbrojtjes së të drejtave të njeriut duke e shkelur të drejtën e Blertit në jetë private, të drejtën për të qenë i lirë nga diskriminimi dhe të drejtën në pacenueshmërinë e dinjitetit të tij njerëzor.

Prandaj pas paraqitjes së padisë në Gjykatën Themelore ndaj Vendimit refuzues të ARC, me 30 korrik 2018, kemi paraqitur edhe kërkesën për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së këtij vendimi pranë Gjykatës Kushtetuese. Në parim, Gjykata Kushtetuese shqyrton rastet vetëm pasi të shteren të gjitha mjetet juridike, që do të thotë se fillimisht duhet shkuar përmes gjykatave të rregullta dhe më pas, pala e pakënaqur me vendimin përfundimtar të gjykatave të rregullta mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ky kusht nuk është absolut dhe përjashtimisht mund të tejkalohet kur mjeti juridik është i papërshtatshëm dhe jo-efektiv. Në raste të tilla Gjykata Kushtetuese mund të vendosë ta lirojë palën nga detyrimi i shterrimit të mjeteve juridike.

Pse duhet ta pranojë Gjykata Kushtetuese për shqyrtim rastin e Blertit?

Koha e stërgjatë e procedimit të një lënde në gjykatë mund të rezultojë në cilësimin e mjetit juridik si jo-efektiv dhe të papërshtatshëm kur vështrohet së bashku me rrethanat individuale të rastit. Zvarritja e procedurave gjyqësore për vite të tëra nuk është diçka e re në Kosovë dhe paraqet problem të përgjithshëm të sistemit gjyqësor, por janë rrethanat e posaçme të rastit të Blertit ato që e bëjnë paraqitjen e padisë në gjykata të rregullta mjet joefektiv juridik.

Blerti nuk mund të presë 4 deri në 8 vite deri sa gjykatat e rregullta t’i adresojnë shkeljet në rastin e tij. Sa herë që Blerti shkon në vizita të rregullta mjekësore në Maqedoni, të cilat nuk ofrohen në Kosovë, policët kufitarë duhet ta ndalin dhe marrin në pyetje për shkak se dyshojnë në vërtetësinë e dokumentit të tij të identifikimit, i cili nuk përputhet me dukjen e tij. GJEDNJ në vendimet B. kundër Francës, Christine Goodwin kundër Britanisë të Madhe, etj. ka cilësuar se vendosja e personave në situata të tilla të jetës së përditshme që i shkaktojnë stres, shqetësim e poshtërim, për shkak të mosmundësimit të ndryshimit të të dhënave në dokumentet e identifikimit, është në shpërputhje me obligimin e shtetit për respektimin e të drejtës private. Prandaj moshqyrtimi në kohë të arsyeshme i rastit të Blertit nga gjykatat e rregullta e bën paraqitjen e padisë mjet jo-efektiv juridik dhe shkakton shkelje të vazhdueshme të të drejtave fundamentale të Blertit.

GJEDNJ në vendimin Selmouni kundër Francës ka përcaktuar se edhe konteksti ligjor e politik duhet marrë parasysh gjatë shqyrtimit të çështjes se a është një mjet juridik efektiv apo jo. Avokati i Popullit në Amicus Curie drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për gjendjen e homofobisë dhe transfobisë në Kosovë ka theksuar se organet e shtetit në Kosovë dështojnë ta përdorin legjislacionin në fuqi kur trajtojnë çështjet që ndërlidhen me komunitetin LGBTI. Për shembull në raste kur një personit i ndërprehet marrëdhënia e punës për shkak të orientimit seksual, gjykatat në Kosovë nuk e trajtojnë rastin duke e zbatuar Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi por e trajtojnë si rast të thjeshtë të ndërprerjes së marrëdhënies së punës. Madje edhe në raste penale kur ushtrohet dhunë për shkak të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, prokuroria dhe gjykatat nuk e kualifikojnë veprën penale që e përfshinë motivin e kryerjes së veprës penale por e kualifikojnë si vepër penale të thjeshtë – pa elementin e motivit të urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI. Prandaj duke marrë parasyshë kontekstin, paraqitja e padisë nga Blerti në Gjykatën Themelore paraqet mjet joefektiv prandaj Gjykata Kushtetuese duhet ta pranojë këtë rast për shqyrtim dhe të vendosë një standard të ri të trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI në Kosovë.

Për herë të parë që nga themelimi, Gjykata Kushtetuese vihet përballë sfidës që të vendosë për një çështje që e prekë drejtëpërdrejt komunitetin LGBTI në Kosovë. Rasti i Blertit i përmbushë të gjitha kushtet për t’i kapërcyer shkallët e gjykatave të rregullta. Mbetet të shihet nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë të gatshëm ta nxjerrin një vendim që e mundëson adresimin e shkeljeve të të drejtave që i takojnë Blertit. Sido që të jetë vendimi i tyre, ne do të vazhdojmë të kërkojmë me këmbëngultësi nga shteti i Kosovës që t’i përfillë obligimet që i ka ndaj qytetarëve të vet për të mbrojtur, respektuar e garantuar të drejtat fundamentale njerëzore. /Sbunker