Gucati për Blakajn: Nuk besoj që e ka kërcënuar ndonjë veteran

Gucati për Blakajn: Nuk besoj që e ka kërcënuar ndonjë veteran

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, ka thënë se problemit me fyerjen e listave të veteranëve të luftës mund t’i jap zgjidhje vetëm prokuroria. Ai ka thënë për Express se prokurori i dorëhequr nuk është kërcënuar nga ndonjë veteran. Kërcënimet e shumta ndaj tij, Blakaj i kishte përmendur përmes një shkrimi. Ato madje, ishin arsyeja e dorëheqjes së tij

Në një prononcim për Gazetën Express, Gucati ka folur edhe për dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj i cili ishte duke hetuar listat e veteranëve, duke thënë është dashur të tregonte se kush e ka kërcënuar.

“Neve nuk na shqetëson dorëheqja e Blakajt, ka edhe prokuror tjerë që mund ta kryejnë punën e tij . Neve s’na vjen mirë që ka jap dorëheqje, sepse ai ka thënë që e kanë kërcënuar, dhe s’ka tregu se kush e ka kërcënuar”, është shprehur kreu i OVL-së për Express.

Sipas tij, Elez Blakaj nuk është kërcënuar nga ndonjë veteran.

“Nuk besoj që dikush nga veteranët e ka kërcënuar”, ka shtuar Gucati.

I pyetur nga Gazeta Express se a ka ndonjë informacion se edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa është në listën e veteranëve, Gucati thotë se është përfolur shumë por nuk e ka parë certifikatën e tij.

“Përfolët shumë, por informacione nuk kam. Nuk e kam parë aplikacionin e tij dhe certifikatën. Me u përfole përflitet, por nuk kam ndonjë informacion” .

Ndërkohë në një letër të dërguar nga burgu për Gazetën Express, Sylejman Selimi, ka shpjeguar se si ka ndodhur rritja e vazhdueshme e numrit të veteranëve.

Ai ka shpjeguar se në kohën kur UÇK-ja është transformuar në TMK, kanë qenë gjithsejtë 12 mijë e 700 ushtarë deri në 13 mijë, por më pas vazhdimisht ky numër ishte rritur nën dijeninë e Agim Çekut.

Selimi shkruan se Komisioni Qeveritar për verifikimin e listave, në vend se t’i pastronte listat, ka shumëfishuar numrin e veteranëve.

“Ky komision ka pas për detyrë që të pastrojë këto lista. Çfarë ka ndodh. Në vend që të pastroheshin ato lista, ato janë rritur shumëfish. Komisioni për verifikimin e listave ka pasur për referencë këto lista bashkë me ato të shoqatave të dala nga lufta, të gjitha këtyre ka qenë protagonist kryetari i këtij komisioni Agim Çeku”, ka shkruar Selimi.