Veprimi i dyshimtë i kryetarit të Kllokotit me mos propozimin e nënkryetares shqiptare

Veprimi i dyshimtë i kryetarit të Kllokotit me mos propozimin e nënkryetares shqiptare

Komuna e Kllokotit, ka mbetur ende pa nënkryetar të kësaj komune nga komuniteti shqiptar, ani pse Zgjedhjet Lokale kanë përfunduar në nëntor të vitit të kaluar. Selvije Rexhepi nga Nisma Socialdemokrate, po pretendon se nuk po propozohet qëllimshëm nga kryetari i komunës, teksa thotë se është përdorur një arsyetim i pabazë për tu mos propozuar.

Rexhepi për Insajderin ka deklaruar se kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanoviç, qëllimshëm nuk po e propozon për nënkryetare të kësaj komune, ani pse ajo thotë se ka siguruar të gjitha votat.

“E drejtë ekskluzive për me e nxjerr kandidatin është e kryetari, por edhe me ligj duhet me qenë 50% e shqiptarëve duhet ta votojnë nënkryetarin që i përfaqësojnë. Tash janë pesë këshilltar në kuvendin komunal unë i kam katër nënshkrimet të tyre bile i pesti thotë se në momentin që propozohet emri yt unë do të ju votojë ata nuk e kanë nxjerrë asnjëherë një kundër-kandidate”, ka deklaruar Rexhepi.

Po ashtu ajo ka treguar  se është “shpikur” një çështje e re që sipas saj po e mban peng zgjedhjen e saj si nënkryetare të komunës. Thotë se kryetari pretendon se nuk ka të drejtë të zgjidhet Rexhepi si nënkryetare e kësaj komune për shkak të vendbanimit të saj.

“Herën [mbledhjen] e fundit ata e kanë nxjerrë një pretekst se unë nuk jam banore e Kllokotit. Unë sot isha te zyra e regjistrimit civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ata thanë çka me të lëshuar dokument kur asgjë kontestuese nuk ka”, ka deklaruar ajo.

Rexhepi thotë se gjithmonë ka qenë banore e fshatit Mogillë, që më herët i kishte takuar komunës së Vitisë, ndërsa pas decentralizimit ka mbetur me komunën e Kllokotit.

“Unë asnjëherë nuk e kam ndërruar vendbanimin. Fshati Mogillë ku unë jetojë ka qenë më herët me komunë të Vitisë, por pas decentralizimit është mbet me komunën e Kllokotit. Unë nuk e kam ndërruar asnjëherë adresën sepse unë kam qenë tri herë këshilltare komunale të Vitisë si dhe një herë drejtoresh, atëherë nuk ka qenë asgjë kontestuese, por edhe ligji e thotë se tri vjet duhet të jesh banore rezidente dhe ligji nuk e precizon nëse duhet të jetë tri vjet e fundit apo si”.

Madje, ajo thotë se votat për tu emëruar si nënkryetare e komunës i ka pasur që nga janari i këtij viti, por që është refuzuar të propozohet.

“Ai [kryetari i komunës] deri tash i akuzonte shqiptarët se nuk po mirën vesh ky, problem ishte edhe në komunat tjera por edhe gabim që ligji ia jep atij të drejtë vetëm atij të propozojë. Propozimi duhet të vije nga kryetari si dhe të ketë shumicën e votave në këtë rast tek ne jemi pesë dhe duhet të votohen edhe së paku tre këshilltar komunal dhe pjesa tjetër duhet të jetë e komunitetit serb. Mirëpo ky ka thënë siguroni së paku tre nënshkrimi dhe unë e propozoj, këto nënshkrime unë i kam pasur që nga janari. Pastaj nënshkrimin e ka dhënë edhe nga PDK dhe janë bërë katër nënshkrime”.

Por fjalë të tjera krejtësisht ka kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozidar Dejanoviç, i cili thotë se Rexhepi nuk është propozuar nga ai për shkak të problemit mes komuniteti shqiptar në atë komunë. Thotë se pas mbledhjes së kuvendit është dërguar dokumentacioni i saj për interpretim në MAPL, nëse Rexhepi ka të drejtë të propozohet për këtë post.

“Rasti i znj. Selvije Rexhepi ka mbetur i pa zgjidhur për shkak se disa delegat shqiptar thonë se nuk i plotëson kushtet për atë pozitë, andaj pas mbledhjes së Kuvendit delegatet shqiptar ishin në takim te kryetari dhe u dakorduan që komplet dokumentet e znj. Selvije t’i dërgojnë në Institucionet Qendrore për verifikim dhe besueshmëri të plotë se a i plotëson kushtet apo jo. Ne jemi ende në pritje të një përgjigje nga MAPL-ja”, ka deklaruar Dejanoviç për Insajderin.

Në anën tjetër në përgjigjen e MAPL-së të drejtë i është dhënë Sevlie Rexhepit. Sipas përgjigjes së kësaj ministrie përcjell KQZ-së, Rexhepi është banore e fshatit Mogillë që aktualisht i takon komunës së Kllokotit.

“Znj. Selvije Rexhepi, në Zgjedhjet Lokale të vitit 2013, ka qenë votuese në Komunën e Vitisë, me këto të dhëna, ku Qendra Komunale e Regjistrimit Civil i përket komunës së Vitisë dhe Kodi komunal 26, që i përket komunës së Vitisë”.

“Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që janë mbajtur me datën 11 qershor 2017, para se të shpallet data e zgjedhjeve, zonja Rexhepi me datë 20.04.2017 ka ndërruar të dhënat personale, ku Qendra e regjistrimit civil i përket komunës së Kllokotit, me vendbanim në fshatin Mogillë, dhe e cila është caktuar që të votojë në Qendrën e Votimit 3702D, në fshatin Mogillë, Komuna e Kllokotit”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së dërguar Insajderit.

Megjithatë sipas Rexhepit, ajo nuk ka ndërruar asnjëherë të dhënat personale. Thotë se është detyruar të nxjerrë dokumente të reja identifikimi për shkak se ato ekzistuese i ishin vjedhur në makinë. Ajo shprehet e bindur se posedon të gjitha dokumentacionet që dëshmojnë të vërtetën për banimin e saj.

Aktualisht komuniteti shqiptar në këtë komunë nuk posedon nënkryetar të komunës, ndërsa pas të drejtës ligjore që i është dhënë Rexhepit ajo pritet të propozohet për këtë pozitë. Bozidar Dejanoviç, për 10 vota kishte arritur ta mposhte kandidatin nga Lista Serbe për kryetar të kësaj komune./Insajderi.com