Vuçiq mban fjalim 45 minuta për Kosovën

Vuçiq mban fjalim 45 minuta për Kosovën

Hiç më pak se 45 minuta foli presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në Mitrovicën e Veriut. Pjesën më të madhe të këtij fjalimi ai ia dedikoi Kosovës dhe zgjidhjes finale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

I rrethuar nga sigurimi dhe para mijëra serbëve, presidenti serb u zotua se Serbia asnjëherë nuk do ta njehë pavarësinë e Kosovës.

Madje deklarimet e tilla ai i cilësoi si “gënjeshtra të pastra”, transmeton Insajderi.com

I shoqëruar edhe nga Marko Gjuriq, zyrtarë të Listës Serbe dhe përfaqësues tjerë të qeverisë së Beogradit, Vuçiq u zotua se çdo ditë do të punojë në të mirën e serbëve të Kosovës.

“Serbët nuk do të largohen nga shtëpitë e tyre, do të jenë edhe shumë fëmijë tjerë këtu. Zgjidhja nuk është afër, por besoj se mund të ndodhë në 10-20 vitet e ardhshme. Ne do të investojmë miliona euro në spitale, shkolla, do ta ndihmojmë popullin tonë në Kosovë. Do të shkojmë në çdo fshat, dhe do të zhvillojmë bizneset e tyre”, deklaroi Aleksandër Vuçiq.

Shfrytëzoi rastin edhe të lavdërohet para serbëve të Kosovës. Tha se e ka zgjedhur rrugën e vështirë, e jot a “fshehë kokën”.

“Nuk kam dashur ta fshehja si struc kokën time. Nuk kemi ndonjë draft-zgjidhje, nuk jemi as afër. Nuk jam as optimist për zgjidhjen”, deklaroi Vuçiq.

Tutje ai paralajmëroi se herën tjetër do ta vizitojë edhe Banjën, vendin të cilin sot u pengua të shkojë pas protestave të shumta. /Insajderi.com