Mbi 200 vërejtje me shkrim janë shqiptuar për personelin mjekësor në QKUK për mosrespektim të orarit të punës gjatë muajit korrik. Më së shumti vërejtje janë dhënë për mjekët specialistë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka filluar me monitorimin e hyrje-daljeve të personelit në orarin e punës. Ky projekt ka filluar vitin e kaluar, ndërsa realizimi ka nisur nga janari i këtij viti kur është formuar edhe Grupi monitorues në përbërje të Dr. Fakir Spahiu, drejtor i Klinikës së Mjekësisë Nuklerare, kryesues i grupit; Dr. Ferat Sallahu nga Klinika e Kirurgjisë Abdominale; kryeinfermierja Sabrije Ramabaja nga Gjinekologjia dhe Afrim Osmani nga sektori i shërbimeve teknike dhe punonjësit e sektorit të TI-së, shkruan Gazeta Shneta.
Spahiu thotë se në muajin shkurt janë pajisur me kartela i gjithë stafi i klinikave, ndërsa në muajin mars ka filluar monitorimi i hyrje-daljeve. Ai tregon se për çdo muaj janë bërë raporte për mosrespektimin e orarit të punës, ndërsa për muajin korrik kanë filluar edhe masat e para.
“Është bërë tolerancë deri në muajin korrik derisa kemi vlerësuar se duhet të edukohen personeli për përdorimin e kartelave. Ne po kërkojmë që të respektohet orari i punës nga të gjithë, motrat, teknikët, mjekët specialistë dhe profesorët. Nuk kemi asgjë kundër askujt. Në të ardhmen do të kenë qasje edhe drejtorët e klinikave në raportin e hyrje-daljeve të klinikave”, ka deklaruar Spahiu.
Deri më tani janë shqiptuar mbi 200 vërejtje për personelin mjekësor për mosrespektim të orarit të punës dhe numri më i madh i tyre janë mjekë specialistë. Ndërsa Klinika e Gjinekologjisë dhe klinikat e Kirurgjisë dominojnë me numrin e vërejtjeve.
“Gjatë monitorimit kemi gjetë edhe keqpërdorim të kartelave të cilët janë identifikuar përmes kamerave. Një person ka shtypur kartelat e kolegëve tjerë dhe për këso keqpërdorime nuk do të ketë më tolerime”.
“Drejtorët e klinikave mund të marrin masa disiplinore ndaj tyre në bazë të Ligjit të Punës dhe pas dy vërejtjeve, personi mund të dërgohet në Komision Disiplinor ku masa e parë është suspendimi”, thotë Dr Spahiu.
Ai ka thënë se më 10 shtator janë dërguar raportet për muajin gusht dhe është kërkuar nga drejtorët që të merren masa ndaj personave që nuk kanë respektuar orarin.
Pas këtyre vërejtjeve Spahiu thotë se ka përmirësim të ndjeshëm. Ai thotë se monitorimi do të vazhdojë dhe shpreson që gradualisht do të vetëdijësohen të gjithë për respektimin e orarit të punës.