
Historia dhe akuzat për ndihmë në vrasje në tentativë, tashmë është hedhur pas shpine nga Ajvaz Berisha. Gjashtë vjet pas përfundimit të gjykimit 12-vjeçar, Berisha i është futur politikës. Ai është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje, teksa aktivizimin e tij në politik po e sheh si sakrificën e tij të dytë për Kosovën, pasi që i ishte bashkuar UÇK-së në luftën e fundit.
Rasti i Berishës kishte ndodhur në vitin 2000, kur ai ishte akuzuar se kishte ndihmuar vëllanë e tij në tentim vrasjen e Besa Gashit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Berisha ishte akuzuar nga prokuroria se i kishte mbajtur të kërcënuar dy vëllezërit e Besa Gashit me armë, por gjykimi 12-vjeçar kishte përfunduar në favor të tij. Ai ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha gjykatat vendore.
Ai për Insajderin ka deklaruar se është kthyer për herë të dytë që t’i ndihmojë Kosovës, pas herës së parë kur kishte qenë komandanti i Njësisë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kësaj radhe thotë se është kthyer për t’i ndihmuar vendit për arsyeje që siç thotë ai të copëtimit.
“Qysh jam kthyer prej Gjermanisë në luftë në Kosovë, ashtu jam kthyer përsëri për t’iu bashkuar Vetëvendosjes për shkak se po më duket se është duke u copëtuar Kosova e ajo po më dhemb mua se rruga më e lehtë ka qenë me vazhduar me qëndruar atje, por unë e kam zgjedhur rrugën e vështirë”, ka deklaruar Berisha, ish-dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe ish-konsul i përgjithshëm në Gjermani.
Ai thotë se historia e tij nuk mund ta pengojë asgjë në rrugëtimin e tij të ri politik, madje shprehet se nuk ka asgjë të dyshimtë në historinë e tij kur gjykatat vendore kanë konfirmuar pafajësinë e tij.
“Sa i përket procesit gjyqësor u përmbyllë në gjitha shkallët, jo vetëm në një shkallë, por deri tek Gjykata Supreme e cila edhe ajo e ka konfirmuar pafajësinë time. Mund ta shikoni edhe në gjykatë se ka qenë lënda është mbyllë dhe ka përfunduar gjithçka, ka filluar në vitin 2007 dhe ka përfunduar në vitin 2012”.
“Dhe çka ka këtu të keqe për çka duhet me u marrë ende me atë gjë, kur Kosova po vlon dhe s’po dihet çka po bahet dhe po dëshiron një njeri me ardhur edhe një herë dhe me sakrifikuar. Nëse nuk i përshtatna grupeve të caktuara politike nuk lodhna fare për atë punë”, ka deklaruar ai.
Lëvizja Vetëvendosje javën e kaluar kishte njoftuar se Berisha i është bashkuar këtij subjekti politik, teksa në njoftim shpreheshin entuziast për punën e Berishës në VV.
“Është bashkuar në VETËVENDOSJE!, ish-komandanti i Njësisë Speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Ajvaz Berisha. Ai ka qenë dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik si dhe konsul i përgjithshëm në Gjermani. Gatishmëria e tij për të dhënë kontribut në Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe për të ndihmuar në punët që na presin janë vlerë e shtuar dhe energji e re për Lëvizjen”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Prokuroria pretendonte se më 30 nëntor të vitit 2000 rreth orës 11 e 30 minuta në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Ajvaz Berisha i ka ndihmuar Abaz Berishës që ta privojë nga jeta Besa Gashin. Sipas prokurores ai e ka ndihmuar pas një grindjeje dhe përleshjeje paraprake të ndodhur po atë ditë, ndërmjet rojës së parkingut, Besim Alishiqit dhe vëllezërve të Besës, Mujë dhe Ramadan Gashi.
“Atyre ua drejton revolen dhe që të dy i detyron të mbështeten për muri duke i penguar që këta të mos i dalin në ndihmë motrës së tyre, të dëmtuarës Besa, ndërsa gjatë kësaj kohe i pandehuri Abaz Berisha e ka goditur të dëmtuarën katër herë me thikë me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore, plagë therëse-shpuese në faqen e majtë, në gjoks, në dorën e djathtë dhe këmbën e majtë. Me këtë ka kryer vepër penale, vrasje në tentativë, në ndihmë”, ka shkruar prokurorja Pula në aktakuzë.
Viktima e këtij rasti Besa Gashi, në prokurori kishte thënë se atë ditë ajo po punonte në lokalin e saj në Pallatin e Rinisë. Kishte dëgjuar zhurmë. Kur kishte dalë, kishte parë se një polic ua kishte drejtuar armën vëllezërve të saj Mujë dhe Ramadan Gashit. Ajo kishte vrapuar për t’u dalë në ndihmë vëllezërve. E kishte tërhequr Ramadanin e shtrirë në tokë. Në atë moment personi me thikë e kishte goditur edhe atë duke e rrëzuar në tokë.
“Pasi është ngritur ka tentuar të ik por ai i ishte vënë pas. Pasi e ka zënë, e ka goditur me thikë njëherë në fytyrë, njëherë në dorë dhe njëherë në gjoks. Pasi është rrëzuar e ka goditur edhe njëherë në këmbë mbi gju”, ka thënë prokurorja duke përshkruar dëshminë e Besa Gashit.
/Insajderi.com