Ditën e shtunë në Kosovë filloi edhe zyrtarisht aksioni “Ta Pastrojmë Kosovën”, nën iniciativën e Qeverisë së Kosovës bashkë me organiztën “Let’s do it Kosova”.
Por kompania e ndërtimit “Kawa Group”, nëpërmjet portalit që e ka në pronësi ndërtimi.info kishte tentuar ta mashtrojë publikuan se ka qenë organizatore e aksionit.
Nisjen e këtij aktiviteti, portali në fjalë e kishte titulluar: “Fillon aksioni Ta Pastrojmë Kosovën në organizimin e KAWA Group”.
Por pas reagimeve në këtë medium titulli i lajmit ishte ndryshuar.
Për këtë kishte raportuar po atë ditë Gazeta Insajderi, pasi që kishte tentuar të marrë edhe një përgjigje nga pronari i kësaj kompanie, Valon Vataj.
Ndaj shkrimit të Insajderit me një gjuhë të ashpër kishte reaguar kompania “Kaëa Group”. Madje e njëjta kishte identifikuar gazetaren duke e përmendur edhe me iniciale.
“Së pari, mbi të gjitha, ka qenë shumë e ulët që të dërgosh gazetarë në vend-ngjarje, sikur ka qenë gazetarja D.C. e “Insajderit” dhe mos të flasësh me pronarin e kompanisë që po organizon aktivitetin, apo dike tjetër të kompanisë, pasi të gjithë kanë qenë aty. Së dyti, kontakti me dikë të kompanisë nuk është bërë as më vonë. Pas publikimit të tekstit, ka pasur një reagim nga një punetorëve të kompanisë sonë, dhe tek atëherë “Insajderi” shton një paragraf duke thënë se ka provuar që të kontaktojë kompaninë”, thuhej në reagimin e kësaj kompanie që kishte tentuar të marrë meritat për aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”.
“Huqja e dytë e kësaj gazete nëpërmes tekstit tendencioz është duke dashur të japë një goditje të lehtë edhe në median e profilizuar për ndërtim dhe arkitekturë “Ndertimi.info”, që është në pronësi të Valon Vatajt, pronarit të “KAWA Group”. Teksti i publikuar nga “Insajderi”, thotë se me anë të këtij portali “është përpjekur që të mashtrojë publikun”. Thotë se titulli i lajmit ishte “Fillon aksioni Ta Pastrojmë Kosovën në organizimin e KAWA Group”, e më pas u ndryshua në “Kompania e ndërtimit vullnetarisht pastron deponinë ilegale më të madhe të mbeturinave”. Kjo është GËNJESHTËR! Sepse titulli nuk është ndryshuar asnjëherë dhe këto janë dy tekste të ndryshme, njëri ka qenë paralajmërim dhe tjetri pas aksionit”, vazhdon tutje reagimi.
Por këtë gjuhë të ashpër ndaj gazetarëve të Insajderit, sot e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Me një komunikatë për media, ky Asociacion ka vlerësuar se përdorimi i gjuhës së tillë është i papranueshëm.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon gjuhën e përdorur në një reagim të kompanisë “KAWA Group” ndaj gazetarëve të portalit “Insajderi” në lidhje me një shkrim të publikuar nga këta të fundit. Për AGK-në, është e papranueshme dhe ndërhyrje e drejtpërdrejtë në profesionin e gazetarëve dhe lirinë e medieve, përpjekja e kompanisë në fjalë për ta kontrolluar punën e gazetarëve dhe për t’i mësuar ata se si duhet ta kryejnë punën e tyre në terren”, thuhet në njoftimin e AGK-së.
Tutje në reagimin e AGK-së thuhet se puna e gazetarëve në terren duhet të jetë e pavarur.
“Sikurse, për AGK, është e papranueshme edhe çfarëdo etiketimi mbi bazë të paragjykimeve ndaj gazetarëve, siç ka ndodhur në reagimin e kompanisë në fjalë ndaj gazetarëve të mediumit “Insajderi”. AGK thekson se gazetarët kanë të drejtën e tyre të përcjellin çfarëdo ngjarje publike dhe të raportojnë të lirë. AGK mbështet raportimin objektiv dhe profesional ndërsa inkurajon palët e pakënaqura që të ndjekin rrugët ligjore për çdo pretendim që mund të kenë, duke u përmbajtur nga etiketimet dhe ofendimet publike”, përfundon komunikata e AGK-së. /Insajderi.com