Djali i komandantit vazhdon garën për t`u bërë polic

Djali i komandantit vazhdon garën për t`u bërë polic

Betim Hasi, djali i drejtorit regjional të Policisë së Gjakovës Ahmet Hasi, është njëri nga kandidatët i cili ka kaluar provimin me shkrim për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë publike dje listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim, ku pjesë e kësaj liste është edhe Betim Hasi, emri i të cilit nuk ishte në listën e parë me emrat e kandidatëve që i plotësonin kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

Kallxo.com kishte raportuar se emri i Betim Hasit ishte shtuar në listën e kandidatëve pas ankesës që ai kishte bërë.

“Unë s`kam qenë në listën e parë, por jam ankuar. Arsyeja pse s`kam qenë në listën e parë ka të bëjë me diplomën time. Policia kanë pasur paqartësi dhe me ankesë unë i kam ofruar të gjitha dëshmitë e nevojshme dhe tani në listën e dytë, pra pasi është shqyrtuar ankesa ime më ka dal emri edhe mua”, kishte  deklaruar Betim Hasi.

Hasi kishte thënë  se nuk ka pasur kurrfarë ndikimi nga ana e babit të tij, Ahmet Hasi, drejtor regjional i Policisë në Gjakovë që emri i tij të publikohet si njëri nga kandidatë që i plotëson kushtet për t`iu nënshtruar testeve për t`u bërë pjesë e Policisë.