Gjuriq: Vazhdimi i dialogut të Beogradit dhe Prishtinës në pikëpyetje

Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovë Marko Gjuriq ka thënë se “Brukseli duhet të presë pak për Vuçiqin”.

Gjuriq: Vazhdimi i dialogut të Beogradit dhe Prishtinës në pikëpyetje

Marko Gjuriq sot ka thirr një konferencë për medie në Beograd, ndërsa adresimin e filloi me komentimin e deklaratës së kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj për atë se për lëvizje të kufijve duhen çizmet ushtarake.

“Kam vendosur sot t’ju drejtohem sepse kjo është hera e 28 që ata e bëjnë të njëjtën gjë, dhe në atë moment kur Serbia dhe udhëheqësia e saj kanë vendosur të luftojnë për të gjetur zgjidhje kompromisi dhe që të caktohet ai kufi, sepse për ne kufiri është në një vend, ndërsa për vendet tjera, duke i përfshirë SHBA, në një vend tjetër, por për Rusinë është në vendin e njëjtë ku ne e konsiderojmë se është”, ka thënë ai, transmeton Insajderi.com.

Gjuriq bënë pyetje “çfarë ndodh kur dikush kërcënon që do t’i fshijë me dhunë kufijtë të cilët i kanë vendosur shtetet të cilat madje e kanë njohur Kosovën?”

“Kemi vetëm heshtje. Prandaj sot kam dal të pyes të gjithë në BE, a do të reagojë dikush në ndonjë mënyrë në kërcënime apo përsëri do të heshtin?”, ka deklaruar Gjuriq.

Ai gjithashtu ka pyetur se a do të kishte ndodh njësoj sikur dikush nga Beogradi kishte thënë se dëshiron ta largojë kufirin në mes të Serbisë dhe Republikës Serbe.

Kur është fjala për vazhdimin e dialogut të Prishtinës dhe Beogradit, Gjuriq ka thënë se është e sigurt se kryetari i Serbisë nuk do të udhëtojë në Nju Jork, ndërsa për shkak të “sjelljes së palës kosovare”, “pak do të pritet për Vuçiqin dhe praninë e tij në Bruksel”.

“Atë moment kur kemi filluar të kërkojmë zgjidhje kompromisi, jo që nuk kemi pasur përkrahje por  u vërsul një ortek i sulmeve kundër Serbisë nga komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ai./Insajderi.com.