Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se sot opozita kosovare i ka thënë jo liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook pas takimit me Grupin Punues nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave (COWEB), Hoxhaj tha se sjellja e përfaqësuesve të opozitës në takim ka qenë për keqardhje.
Ai tha se me gjithë agjendat dashakeqe të një pjese të politikës në Kosovë, lajmi i mirë për vizat do të vijë shumë shpejt.
“Opozita sot hapur doli kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Është për keqardhje sjellja e përfaqësuesve të disa partive opozitare në takimin me diplomatët e shteteve anëtare (COWEB) që po e vizitojnë Kosovën për herë të parë. Liberalizimi i vizave nënkupton liri udhëtimi për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për anëtarët e opozitës. Lajmi i mirë nuk do të vonojë me gjithë agjendat dashakeqëse të një pjese të politikës në Kosovë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.