![Ilir Krasniqi përplaset me gruan e Milaim Zekës në emision live](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2018/09/maga-730x439.jpg)
Partneri i Milaim Zekës në biznesin që mashtroi mbi 900 kosovarë me viza pune për Gjermani, Ilir Krasniqi, është përballur në një emision live me Edlira Qefaliajn, gruan e deputetit të NISMA-s.
Derisa Qefaliaj po fliste në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës për arrestimin e bashkëshortit të saj, në lidhje direkte me studion e emisionit u lidhë edhe Ilir Krasniqi. Ai akuzoi Milaim Zekën për mashtrimin e kosovarëve me viza.
Krasniqi tha se përgjegjësinë për mashtrimin me viza të mbi 900 kosovarëve e mban vetëm Zeka.
“Milaim Zeka është përgjegjës për mashtrimin e kosovarëve me viza. Ai ka qenë përgjegjës i biznesit për Kosovë, ndërkaq unë jam në gjendje të bëj vetëvrasje nëse dikush thotë që unë i kam marrë para për punën e vizave”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se me Milaim Zekën ka prishur marrëdhëniet pasi deputeti i NISMA-s i kishte kërkuar atij t’ia sponsorizonte fushatën për zgjedhjet e 11 qershorit.
“Unë me Milaim Zekën kam prishur marrëdhëniet pasi kam refuzuar t’ia sponsorizojë fushatën në zgjedhjet e 11 qershorit”, është shprehur Krasniqi.
Ndërkaq, bashkëshortja e Zekës është shprehur se nuk mund të debatojë me një “psikopat”, duke iu referuar Krasniqit. /Insajderi.com