Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj nuk është penduar për kërcënimet që i kishte bërë ndaj ish-prokurorit, Elez Blakaj. Por ka thënë se këto tema më nuk janë për publikun.
I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Demaliaj nuk ka pranuar të flasë, duke shtuar se ato çka ka pasur, i ka thënë.
“Këto deklarata nuk janë më për publikun as kurgjo. Çka kemi thanë, kemi thanë”, deklaroi Demaliaj.
Deputeti i AAK-së ditë më parë kishte thënë se do ta gjejë Blakajn kudo që është, dhe do të merret privatisht.
“Ai është një idiot, një bir kudre, unë do ta ndjekë privatisht me familjen time në qoftë se shteti i Kosovës nuk bënë asgjë rreth hetimit të këtij prokurori”, ishte shprehur ditë më parë Demaliaj.
Pikërisht për kërcënimet ndaj prokurorëve është arrestuar edhe deputeti Milaim Zeka.
Ai kishte përmendur edhe kanunin kur kishte theksuar se do të merret privatisht me prokurorin, Afrim Shefkiu, i cili ka ngritur aktakuzë ndaj tij për manipulimet me viza.
Mundësinë e arrestimit të Demaliajt për kërcënimet ndaj Blakajt, e la të hapur dje edhe zv/Kryeprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha.
Ai bëri të ditur se prokuroria po i heton edhe deklaratat e deputetit të AAK-së ndaj Blakajt.
“Jemi në konsultime për të gjitha rastet, e edhe për këtë rast (kërcënimin ndaj Elez Blakaj). Mirëpo rasti ndaj Elez Blakaj ka qenë në një distancë më të largët. Kjo ka mundur të kryhet këtu, ndërsa ajo ndaj Elez Blakaj ka punë me shku deri në Amerikë. Është shumë serioz edhe kërcënimi ndaj Elez Blakaj. Jena duke biseduar për këtë rast. Nuk mund të them se a do të arrestohet apo jo deputeti Shkumbin Demaliaj. Do shohim”, deklaroi prokurori Berisha për “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe Milaim Zeka për kërcënimet që i kishte bërë ndaj prokurorit që kishte ngritur aktakuzën për manipulimet me viza, do të dalë para gjykatës në orën 13:15. /Insajderi.com