Nis seanca ndaj Milaim Zekës

Nis seanca ndaj Milaim Zekës

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka ka dalur sot para gjykatës.

Seanca gjyqësore ku pritet të merret vendimi për Zekën tashmë ka nisur, shkruan Insajderi.

Ai u arrestua dje për shkak të kërcënimeve që i ka bërë ndaj prokurorit Afrim Shefku.

Prokuroria në lidhje me këtë rast ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për deputetin Zeka.

Ai kishte thënë se prokurorin Afrim Shefkiun do ta ndjekë me gjyq dhe me kanun privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tem me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, kishte thënë Zeka.

Prokurori Rexhep Maqedonci, më herët kishte deklaruar se Zeka është arrestuar për shkak se “duhet me ia ndal turrin”.

“Kemi pas frik mos pe merr Kanunin në dorë, me marrë në dorë, na bën kahre. Xhemal Abria ka vdek, tash s’ka kush na merr vesh me të. E për këtë e kemi arrestuar me ja ndal turrin”, është shprehur prokurori.

Në anën tjetër avokati i Zekës e ka konsideruar si të paarsyeshëm arrestimin e klientit të tij.

“Vendimi është komplet i pabazuar në dispozita ligjore dhe gjendjen faktike. Në bazë të nenit për kanosjen ajo duhet të jetë kundër jetës dhe trupit dhe serioze në mënyrë që duhet ta bind të dëmtuarin që do t’i ndodhë një e keqe. Në këtë rast këto nuk kanë ndodhur”, kishte deklaruar Halilaj.

Zeka së bashku me ish partnerin e tij të biznesit janë duke u përballur me drejtësinë për shkak se sipas prokurorisë ata kanë mashtruar 927 kosovarë me viza pune në Gjermani. /Insajderi.com