Thaçi: Trumpi e njeh Kosovën

Thaçi: Trumpi e njeh Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sapo ka mbajtur një konferencë për media pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë konferencë, Thaçi ka folur për tashmë temat e zakonshme si ajo e korrigjimit të kufijve, liberalizimin e vizave, ushtrinë, anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në mekanizmat tjerë të BE-së dhe të tjera.

Por nuk mbeti pa u vënë re një përgjigjje e Thaçit kur u pyet lidhur me presidentin amerikan, Donald Trump.

Në pyetjen se çfarë i ka thënë Trump Thaçit në takimin e shkurtër mes tyre, nëse Thaçi i ka treguar edhe atij idenë për korrigjit të kufijve me Serbinë dhe a është Amerika për këtë marrëveshje, presidenti nisi të përgjigjej duke thënë se Trumpi e njeh Kosovën.

“Në takimin e shkurtër me presidentin Trump mund të konkludoj vetëm atë se presidenti Trump e njeh Kosovën, e kupton dhe e ndjenë, dhe i jep mbështetje progresit të arritur në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Më pas ai tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbështetjen e gjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.