Policia angleze ka zbuluar dy ditë më parë një shpellë të kultivuar me bimë narkotike kanabis sativa. Rreth një milion dollarë është vlera e drogës së konfiskuar. Parcelat me drogë ishin mbjellë në një shpellë pranë një ferme në Wiltshire, transmeton abcnews raportimin e mediave britanike. Në tunele u gjetën edhe shtretër, ndërsa ende nuk ka përfunduar mbledhja e provave në vendngjarje.
Shpella ishte përshtatur me të gjitha kushtet e nevojshme për kultivimin e kanabisit. Autoritetet britanike thonë se nëpër të gjithë gjatësinë e tunelit nëntokësor ku u gjet droga, ishte shtrirë rrjeti elektrik dhe nuk mungonte energjia. Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia, sipas mediave britanike. Nuk është përcaktuar ende roli i tyre në këtë aktivitet ilegal, nëse janë roje të parcelave apo kultivuesit e tyre. Ata janë Aleksandër Shyti 45 vjeç dhe Altin Deda 39 vjeç.
Shqiptarët dolën një ditë më parë përpara gjykatës, por seanca u shty për shkak të mungesës së përkthyesve. Disa eksplorues kishin tentuar të hynin në shpellë në vitin 2015, por nuk kishin mundur pasi ajo ishte e mbyllur. Ndërsa së fundmi, ata i thanë policisë se madje kishin parë drita nga tunelet e shpellës.