Vetëvendosje kërkon arrestimin e Thaçit dhe Veselit

Vetëvendosje kërkon arrestimin e Thaçit dhe Veselit

Pas dorëheqjes së Adem Grabovcit nga pozita e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen dhe arrestimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, të cilët i ka quajtur “koka të krimit”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon urgjentisht dorëheqjen e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit si dhe arrestimin e tyre të menjëhershëm”, thuhet në komunikatën e VV-së.

VV-ja ka thënë se dorëheqja e Adem Grabovcit nga pozita e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, është pranim i fajësisë për krim të organizuar, korrupsion dhe kapje të shtetit.

“Dorëheqja e tij nuk mjafton, ngase – siç e pranon edhe vetë ai – Adem Grabovci ishte vetëm ekzekutues që urdhrat i merrte vazhdimisht nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Populli i Kosovës nuk mjaftohet me dorëheqjen e një ekzekutuesi përderisa kokat e krimit që e udhëhiqnin atë janë ende në krye të shtetit tonë”, thuhet në reagimin e VV-së.

Vetëvendosje thekson se dorëheqja e Grabovcit nga drejtimi i grupit parlamentar të PDK-së është e pamjaftueshme dhe ka kërkuar nga ai që të heqë dorë edhe nga pozita e deputetit.

“Ai duhet të heq dorë edhe nga pozita e deputetit, nënkryetarit të PDK-së si dhe nga çdo funksion tjetër politik e publik. Në anën tjetër, ai duhet urgjentisht të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi ligjore për veprimet e tij të pista”, thuhej më tej.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dha sot dorëheqje nga pozita e shefit të grupit parlamentar, pas skandalit të përgjimeve të publikuara nga Insajderi, “Dosja e Shefave”, në të cilën Grabocvi ishte protagonist kryesor. /Insajderi.com

[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]