VV: Policia ndalon protestuesit nga Shqipëria

VV: Policia ndalon protestuesit nga Shqipëria

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate për media ka deklaruar se Policia e Kosovës në pikën doganore të Morinës sot rreth orës 11:00 ka arrestuar protestuesit që po vinin nga Tirana.

Vetëvendosje pretendon se personat që sipas tyre ishin nisur për të marrë pjesë në protestën e sotshme në të opozitës në Prishtinë janë arrestuar nga policia.

“Si fillim ata kanë kontrolluar autobusin, ku kanë gjetur parullat protestuese. Më pas i kanë shoqëruar tre vetë nga pjesëmarrësit në zyrën e policisë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Më tutje gjithnjë sipas Vetëvendosjes, protestuesit e tjerë janë kthyer me gjithë autobus në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe nuk iu është lejuar hyrja.

“Më pas Policia e Kosovës ka lëshuar një dokument në të cilin e ka shpallur person të rrezikshëm Bashkim Rodonin, dhe ia kanë ndaluar hyrjen në Kosovë. Bashkim Rodoni është artist, regjisor e muzikant”, thuhet tutje në komunikatë.

Sipas Vetëvendosjes, një student i filozofisë në Tiranë, Gent Amzai është ndaluar poashtu nga policia dhe i është thënë se do të dërgohet në paraburgim në Prizren. Sipas tyre, të tjerëve ende nuk i kanë dhënë asnjë përgjigje se pse po i ndalojnë.

“Ky veprim i Policisë së Kosovës është i turpshëm, dhe synon vazhdimin e politikës famëkeqe të distancimit të Kosovës prej Shqipërisë”, përfundon komunikata e Vetëvendosjes./Insajderi.com