
Instituti Bujqësor i Kosovës ka reaguar për publikimin e lajmeve nëpër media ku vetura zyrtare e këtij institucioni raportohej se ka bartur speca me veturë zyrtare.
Përmes një reagimi dërguar në Gazeta Online Insajderi, Instituti Bujqësor i Kosovës thotë se vetura që është publikuar nëpër media ka qenë e këtij institucioni, por thekson se kanë qenë duke bartur patate për të tërhequr mostrat e fushave hulumtuese nga sipërfaqet e kultivuara dhe se mostrat i kanë dërguar në laborator për testim.
Ky institut ka mohuar të ketë përdorur veturën zyrtare për të bartur speca turshi siç është publikuar.
“Instituti Bujqësor i Kosovës ju njofton se dje më 05.10.2018 në Pestovë / Vushtrri, nën patronatin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është organizuar dita fushore e patates”.
“Më këtë rast stafi profesional dhe teknik i Institutit Bujqësor të Kosovës përveç prezantimit të Raportit për Vlerat Kontrolluese Prodhuese për varietetet e patates, njëkohësisht i tërheqin mostrat e fushave hulumtuese nga sipërfaqet e kultivuara dhe i dërgojnë në Laborator për Kontrollin e Kualitetit të Farërave për testim”, thuhet në reagim.
“Instituti Bujqësor i Kosovës gjithashtu ju njofton se kompetencë institucionale e tij është hulumtimi i Vlerave Kontrolluese Prodhuese – VKP për varietetet e kulturave bujqësore që konkurrojnë për regjistrim pran Listës së Lejuar të Republikës së Kosovës dhe për këtë qëllim hulumtimi zhvillohet në dy zonat klimatike të Republikës së Kosovës sikur janë: Zona e Rrafshit të Dukagjinit dhe Zona e Rrafshit të Kosovës”, thuhet në reagim./Insajderi.com