Haradinaj në takim me ambasadorët: Kosova është në rrugën e duhur për vizat

Haradinaj në takim me ambasadorët: Kosova është në rrugën e duhur për vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po shprehet optimist për liberalizimin e vizave.

Pas një takimi me ambasadorët e QUINT-it dhe shefes së BE-së në Kosoëv, i pari i qeverisë ka thënë se Kosova është në rrugën e duhur.

Sipas tij, Kosova po bën luftë të vazhdueshme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Sot, në takimin me ambasadorët e Quint-it dhe shefen e BE-së në Kosovë, u pajtuam se vendi ynë është në rrugën e duhur për marrjen e liberalizimit të vizave dhe se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe menaxhimi efektiv i migrimit duhet të jenë prioritare”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Tutje ka thënë se vetëm me përkrahjen e shteteve mike, Kosova do të jetë në rrugën e sigurt euro-atlantike.

“Përkrahja e shteteve mike nuk ka munguar asnjëherë dhe së bashku po punojmë në realizimin e synimeve tona për konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit drejt të ardhmes sonë euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe kryeministri vazhdimisht ka thënë se deri në fundin e këtij viti, kosovarët do të lëvizin lirshëm. /Insajderi.com