Grupi i qytetarëve të Kosovës që po kundërshtojnë dukuritë e korrupsionit dhe nepotizmit në Kosovë, të njohur si Qytetarët e Pavarur, janë distancuar nga veprimet e një “grupi anarkist që ka marrë pjesë në protestën e organizuar sot”.
Sot gjatë protestës së pestë të organizuar nga një grup i qytetarëve dhe shoqërisë civile, një grup protestuesish kanë mbajtur pankarta me mbishkrime anarkiste, njoftojnë organizatorët e protestës, raporton Insajderi.
Organizatorët e “Protestoj” kanë bërë të ditur përmes një komunikate se ata nuk kanë qenë në dijeni se një grup i protestuesve kanë mbajtur pamfleta me “mbishkrime anarkiste”.
“Organizatorët e #Protestoj njoftojnë gazetarët dhe publikun se pamfletat e shpërndara sot gjatë protestës me simbole të anarkizmit dhe me parulla anarkiste janë të një grupi anarkist i cili i ka shpërndarë ato pa dijeninë dhe pajtimin e organizatorëve”, thuhet në reagimin e “Protestoj”.
Organizatorët e pesë protestave gjatë dy javëve të fundit, u kanë bërë thirrje protestuesve që të parashtrojnë kërkesat e tyre para se të marrin veprime të dallueshme në protestë.
“Ne si organizatorë, nuk duam ta bëjmë policinë e protestave dhe t’i imponojmë mendimet tona, por ju thërrasim këtyre grupeve dhe çfarëdo grupi tjetër, që ashtu siç po bëjnë të gjithë qytetarët e tjerë, të jenë në vijë me kërkesat që po i artikulojmë së bashku. Atyre që nuk u pëlqejnë format e protestimit le të vijnë dhe le t’i japin propozimet e tyre të cilat duhet t’i nënshtrohen vendimmarrjes kolektive”, thuhet në njoftimin e “Protestoj”.
“Protestoj” ka mbajtur sot protestën e pestë kundër krimit të organizuar e korrupsionit, protestë kjo e iniciuar pas publikimit të Dosjes së Shefave nga Insajderi – një seri përgjimesh telefonike që dëshmojnë se si zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës shtrijnë ndikimin në institucionet e pavarura të vendit. /Insajderi.com
[iframe id=”https://www.youtube.com/embed/videoseries?list=PLIKGlbXyvgfjhHy2bWiIKDAwyEz5iE5-u” align=”center” mode=”normal” maxwidth=”680″]