Asnjë grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk kishte folur publikisht – deri në vitin e kaluar, kur Vasfije Krasniqi, një kosovare që jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi atë në vitin 1999.
Por, sonte Krasniqi-Goodman do të rrëfehet për herë të parë publikisht në televizion, teksa do të japë rrëfimin e saj për torturat që ka përjetuar gjatë luftës në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës (RTK).
Në letrën që ajo kishte publikuar në Facebook gjatë vitit 2017, Krasniqi i ishte drejtuar rrëmbyesit dhe dhunuesit të saj.
Ajo ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj më 13 prill 1999 nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë. Në letrën e saj, ajo kujton se si ai i kishte kërkuar që ta vriste atë në vend. Fillon: “Ti më lëndon. Isha 16 vjeç dhe nuk e kisha përjetuar jetën. Isha e pafajshme. Ti ma shkatërrove dhe ma vodhe rininë time pa t’u trembur syri”.
Tashmë 36-vjeçare, Krasniqi pati thënë se ajo e shkroi letrën e saj për t’i fuqizuar gratë e tjera.
“Nuk më vjen turp dhe nuk kam frikë. Unë do ta bëj pjesën time. Të gjithë e dinin se një polic serb më mori. Të gjithë e dinin se një vajzë 16-vjeçare nuk do merrej për deklaratë nga forcat policore serbe”, kishte deklaruar ajo.
36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual, tanimë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.
Për vendimin e Vasfije Krasniqi-Goodman për t’u rrëfyer sot publikisht në televizionin publik, është deklaruar edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook është shprehur se “momente të tilla janë prekëse” dhe se shembulli i Vasfijës “është tregim i shpresës dhe guximit”.
Insajderi ka raportuar gjatë kësaj jave se rreth 700 gra të dhunuara gjatë luftës janë verifikuar nga Komisioni Shtetëror për Verifikimin e Viktimave të Dhunës Seksuale. Ndërkaq, ky status i është refuzuar 103 grave të cilat dyshohet se kanë aplikuar në mënyrë të rrejshme.